E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat, në 11 muaj arkëtojnë 95,5 miliardë lekë në buxhetin e shtetit



Administrata doganore arkëtoi 95 miliardë e 555 milionë lekë në buxhetin e shtetit për 11-mujorin e vitit 2008, duke realizuar planin në masën 100.1 për qind. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bënë të ditur se gjatë periudhës janar-nëntor u arkëtuan në buxhetin 86 milionë lekë më shumë se plani. "Administrata doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit 95 miliardë e 555 milionë lekë nga 95 miliardë e 469 milionë lekë që ishte plani i përcaktuar nga Ministria e Financave, me një tejkalim prej 86 milionë lekësh, ose 0.1 për qind", - bënë të ditur burimet e mësipërme. Krahasuar me realizimin faktik të të ardhurave për të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar-nëntor 2007), rritja është 14% ose 11 miliardë e 361 milionë lekë më shumë. Eksportet "Made in Albania" drejt vendeve të tjera u rritën me 39 për qind në periudhën janar-nëntor të vitit 2008. "Gjatë periudhës janar-nëntor 2008 është realizuar një rritje 17% e volumit në total të eksporteve shqiptare krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa eksportet me origjinë shqiptare "Made in Albania" kanë një rritje 39% të shprehur në vlerë",- tha DPD-ja. Sipas DPD-së, gjatë kësaj periudhe u realizua një volum mallrash në sasi prej 1.631.665 tonësh, krahasuar me 1.574.642 tonë mallra që janë eksportuar gjatë 11-mujorit 2007.

Zhdoganimet e karburanteve u rritën me 3 për qind në 11 muaj

Zhdoganimet e karburanteve gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2008 janë rritur me 3 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë (2007). Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë 11 muajve 2008 u zhdoganuan 384,925 tonë karburante nga 374,325 tonë të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 10,600 tonësh.

27 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›