OSSH: “Në 11 muaj janë instaluar 75 mijë matësa të rinj energjie në vend”
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike ka kryer gjatë muajve janar-nëntor të këtij viti instalimin e 75 mijë matësave të rinj për konsumatorët. Sipas burimeve zyrtare të OSSH-së, “pjesa më e madhe e matësave të energjisë elektrike janë instaluar tek abonentët familjarë dhe privatë”. Të njëjtat burime sqaruan se janë bërë kontrolle në biznese dhe është vendosur një sistem i ri matjeje, duke rritur sigurinë e faturimit të matjes dhe saktësinë. Me vendosjen e matësave elektrikë, OSSH-ja garanton kontrollin në të gjithë territorin e vendit për energjinë e konsumuar, duke krijuar edhe mundësinë për marrjen e masave kundër abuzuesve me energjinë elektrike. Ndërkohë, OSSH-ja bën të ditur se rikonstruksioni i nënstacionit elektrik të Selitës, me një fond prej 12 milionë lekësh, pritet të përfundojë në fund të muajit dhjetor. Nënstacioni i Selitës do të ketë gjithsej 4 transformatorë me një fuqi instaluese prej 120 megavolt gjithsej. Punimet për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Selitës kanë nisur në fillim të muajit nëntor të këtij viti. Të njëjtat burime thanë se ky nënstacion do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në pjesën jugore të kryeqytetit si në zonën e Selitës, në Rrugën e Elbasanit, në rrugën "1 Maji", Sauk, etj. Gjatë vitit 2008, OSSH-ja ka realizuar një sërë rikonstruksionesh për fuqizimin e nënstacioneve elektrike në të gjithë vendin.
27 Dhjetor 2008