E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Bruksel: Viti 2009, vendimtar për liberalizimin e vizave

 

Viti 2009 do të jetë vendimtar për liberalizimin e vizave. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pas një takimi me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Jacques Barrot. Gjatë këtij takimi ministri Basha u ndal në veçanti në prodhimin e kartave dixhitale dhe pasaportave biometrike. Pajisja e qytetarëve me këto dokumente të sigurisë së lartë është objektiv madhor i qeverisë në përmbushje të kriterit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, theksoi Basha. Në një prononcim për mediat, kreu i Ministrisë së Jashtme tha se qeveria shqiptare është e përkushtuar që vitin e ardhshëm të jetë pjesë e vendeve që lëvizin pa vizë. “Barrot shprehu bindjen e tij se viti 2009 do të jetë një vit vendimtar për ta kurorëzuar këtë proces. Unë e falënderova për mbështetjen e tij dhe e sigurova që qeveria shqiptare do të jetë tërësisht e përkushtuar që në 2009-ën, Shqipëria përkrah vendeve të tjera të Evropës Juglindore të bëjë pjesë në një hapësirë, e cila lëviz drejt vendeve Shengen pa vizë”, u shpreh Basha në përfundim të takimit me zv.presidentin e Komisionit Evropian. Nga ana e tij, komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn deklaroi se, “sistemi gjyqësor duhet të tregojë elementë të vazhdueshëm që flasin se janë në gjendje të matin krimin e organizuar dhe korrupsionin, të tregojë se nuk ka të paprekur dhe të shërbejë si shembulli që nuk mund të ekzistojë korrupsioni. Unë jam njohur me punën e bërë, por do të shoh edhe raportin e punonjësve të Komisionit dhe në nëntor do të paraqesin një progres raport objektiv”. Sipas tij, panorama e përgjithshme e marrëdhënieve mes BE-së dhe Shqipërisë është inkurajuese. Rehn bëri të ditur se Shqipëria ka bërë progres në demokraci dhe në çështjet e shtetit ligjor dhe po implementon mirë angazhimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Ndërmjetme e Stabilizim-Asociimit. “Por me siguri më shumë nevojitet për t’u bërë në lidhje me kulturën demokratike dhe për pavarësinë e institucioneve të shtetit. Por edhe përsa i përket shtetit ligjor, ndërsa lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një sfidë madhore”, u shpreh Olli Ren, Komisioneri Evropian për Zgjerimin e BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›