Ndoka: “Në 2009 të vetëm në zgjedhje”
Partia Demokristiane do të dalë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Këtë e bëri të ditur dje kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili tha se PDK-ja është e zhgënjyer nga prishja e njëanshme që i bëri marrëveshjes së bashkëpunimit Partia Demokratike. “Partia Demokristiane është tashmë e vendosur që nuk mund të bëjnë aleancë me formacione, me parti politike, të cilat japin një kontribut regresiv në hartimin e kodit, me parti politike, të cilat kanë në strategji të tyre eliminimin e pluralizmit, eliminimin e partive politike. Duke e parë në këtë aspekt, gjykoj se interesi më i mirë i Partisë Demokristiane është dalja më vete, pra testimi i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, shprehet Nard Ndoka, kryetar i PDK-së. Sipas tij, “ajo që unë vërej si politikan është rritja e masës së pasigurisë tek qytetaret, rritja e masës së mosbesimit tek institucionet. Ka humbur jetën një nga dëshmitarët kyç të kësaj tragjedie, por hijet e dyshimit rriten kur ti me qëndrimet tuaja ke krijuar pasiguri, pabesueshmëri te publiku”.