Sherri për ujin, dy komuna përplasen në gjykatë
Sherri për një burim uji ka përplasur në dyert e gjykatës dy njësi vendore në Rrethin e Bulqizës. Kështu, prej më se një viti komunat Trebisht dhe Ostren janë konfliktuar, pasi kjo e dyta kërkon të ndërtojë një ujësjellës me vendburim uji në pronësi të Komunës Trebisht. Kreu i kësaj të fundit, Fitim Balla, thotë për “Shqip” se marrja e ujit me vendburim në malin e Raduçit, një pikë e njohur turistike malore në kufi me Maqedoninë, cenon rëndë dhe drejtpërdrejt komunitetin e Trebishtit, pronë e të cilit është ky burim uji. “Ndërtimi i këtij ujësjellësi do bëjë që banorët e komunitetit të Komunës Trebisht të thahen për pikën e ujit, ndërkohë që natyra ua ka falur atyre këtë burim”, thotë më tej kreu i Komunës Trebisht.
Nisja e punimeve nga ana e Komunës Ostren për ndërtimin e këtij ujësjellësi, në mënyrë të njëanshme, ka çuar në përplasje të forta mes këtyre dy komunave fqinje në zonën e Gollobordës, që shpesh kanë bllokuar edhe punimet, duke bërë që ata të vazhdojnë vetëm në territorin e Komunës së Ostrenit, pa mundur ende të dalin në territorin e Komunës Trebisht. Për të disatën herë banorët e Trebishtit kanë protestuar për marrjen e ujit të tyre, ku një protestë e tillë është zhvilluar edhe para pak ditëve, në të cilën morën pjesë edhe ish-banorë të Klenjës, të larguar në zonat urbane në kuadër të lëvizjes së lirë. “Duke parë se përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij problemi me anë të dialogut nuk po gjenin mirëkuptimin e duhur, atëherë u detyruam t’i drejtohemi Gjykatës Dibër për zgjidhjen e këtij konflikti”, thotë kryekomunari Balla. Ndërkohë, po sipas tij mësohet se për këtë problem janë njoftuar edhe Prefektura Dibër, Ministria e Transporteve dhe deri Kryeministri Sali Berisha, por ende nuk është dhënë zgjidhja e duhur. “Jemi shumë të shqetësuar, pasi vijimi i punimeve nga firma tenderuese dhe përkundër mosmarrëveshjeve mes dy komunave, na vë ne si komunitet para faktit të kryer. Ndaj, pas indiferencës qeveritare në zgjidhjen e këtij problemi tejet të rëndësishëm për komunitetin tonë të Trebishtit, u detyruam që t’i drejtohemi me një padi penale Gjykatës Dibër, për cenimin e pronësisë, pasi komuna jonë është pronare e ligjshme e këtij vendburimi uji. Për ne kjo është mundësia e fundit për zgjidhjen e këtij konflikti”, ka përfunduar kryekomunari Balla.
#