E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuratat mbi 250 mijë lekë sekuestrohen nga shteti

18/10/2004  Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur dje në Kuvend draftin për konfliktin e interesave. Sipas këtij propozimi, funksionarët e shtetit nuk mund të pranojnë dhurata që kanë vlerë më shumë se 25 mijë lekë. Në rast se ekspertët vërejnë se ky nen është shkelur, dhurata kalon në pronësi të shtetit. "Një zyrtar mund të pranojë dhurata vetëm deri në 15 mijë lekë. Në rast se vlera e dhuratës e kalon këtë shumë, atëherë duhet të kalojë në deklarimin e pasurisë, ku argumentohet dhe burimi. Në rastet kur dhurata e kalon vlerën e rrogës minimale zyrtare mujore, ajo i deklarohet eprorit dhe kalon në pronësi të shtetit. Vlera matet sipas tregut, ndërsa nuk lejohen dhuratat monetare", thuhet në projektligjin e paraqitur.

Mënjanimi i konfliktit të interesave

Në rast se një funksionar vëren se në detyrën e re ka konflikt me interesat personale, duhet të ndërmarrë disa hapa për të mënjanuar ndikimin e paligjshëm. Në draftin e paraqitur thuhet se, shmangia arrihet "duke transferuar interesat vetiake, duke u vetëpërjashtuar nga procesi konkret i vendimmarrjes, duke dhënë dorëheqjen nga funksioni publik, veçanërisht kur ushtrimi i funksionit përbën rrezik të vazhdueshëm për lindjen e situatave të konfliktit të interesave". Ndërsa në rastet kur konflikti i interesave është bërë publik, janë ekspertët që i kufizojnë zyrtarit publik informacione që lidhen me konfliktin e interesave. Ata nuk i lejojnë atij të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes, që kanë ndikim në interesat personale. Ekspertët kanë ndikim që të mos lejojnë emërimin e një personi me konflikt interesash, ose kërkojnë largimin e tij.

Informacioni

Ndryshe nga përcaktimet e mëparshme, të dhënat për konflikt interesi merren dhe nga mediat si dhe nga publiku. Funksionari ndaj të cilit publikohet një fakt për konflikt interesi, është i detyruar të vërtetojë të kundërtën, në rast se pretendon se nuk ka konflikt në detyrën që ka. Ndërsa është parashikuar që çdo person që jep informacion merr shpërblim. Në këtë rast kufizohen dhe kompetencat e personit të akuzuar. "Ai që ka konflikt interesi, nuk ka të drejtë të penalizojë atë që ka dhënë informacionin", thuhet në propozim.

Kontrolli

Në rast se funksionari gjendet në konflikt interesi gjatë ushtrimit të detyrës, ai duhet të njoftojë eprorët dhe duhet të kërkojnë ndihmë nga ekspertët. Sipas projektligjit, brenda 60 ditëve nga marrja e detyrës personat në fjalë duhet të njoftojnë eprorin si dhe inspektoriatin e deklarimit të pasurive, ndërsa duhet të lëshojë dhe një prokurë ku të lejojë kontrollin e pasurive. Në rast se nuk bëhet deklarimi i pasurive, atëherë vendoset gjoba 50 mijë lekë deri në 4 rroga mujore.

Posti i Kryeministrit, i ministrit dhe i deputetit është i papajtueshëm me:

a) pozicioni i drejtuesit dhe anëtarit të organeve të shoqërive tregtare ose të ekspertit kontabël të autorizuar, përfshirë bankat ose institucionet e tjera të kreditit, institucionet financiare dhe të sigurimeve

b) pozicionin e personit fizik tregtar

c) pozicionin e anëtarit të grupimeve me interes ekonomik

d) pozicionin publik, të ofruar nga një shtet i huaj përveç pozicioneve të përcaktuara nga traktatet, konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare me të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›