E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sollaku: Luftoni korrupsionin e kolegëve tuaj të gjyqësorit

18/10/2004  FIER – Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, lëshoi dje akuza të ashpra ndaj gjyqësorit. Për të ripërsëritur rezervat e tij, kreu i organit të akuzës shfrytëzoi prezantimin e prokurores së re në rrethin e Fierit. Para vartësve të tij, Kryeprokurori akuzoi gjyqtarët për korrupsion. “Ende ka gjyqtarë, të cilët janë të korruptuar dhe që kanë synim mbulimin e veprës penale dhe autorëve”, u shpreh Sollaku. Duke vijuar, ai kërkoi nga vartësit e tij të luftojnë korrupsionin në gjyqësor. “Është detyra juaj, nisur edhe nga paketa ligjore që autorizon Prokurorinë, që të mos lejoni asnjë lloj shkelje ligjore dhe të luftoni kundër krimit, elementëve kriminalë, por edhe papërgjegjshëmërisë së kolegëve tuaj të gjyqësorit”, tha Kryeprokurori në fjalën e tij.

Sollaku

Kreu i organit qendror të akuzës tha se, Fieri ende ka një fluks të madh të kriminalitetit.

Në analizat e bëra në Prokurorinë e Përgjithshme, kohët e fundit, ne kemi vërejtur një punë të mirë të Prokurorisë së këtij qyteti, në përballimin e fluksit të madh të veprimtarisë kriminale. Por, Sollaku nënvizoi se ka akoma shumë probleme, duke theksuar korrupsionin si njërën prej çështjeve më serioze. “Fieri është qyteti ku ende ka probleme të shumta me gjyqësorin dhe veprat penale. Ka shumë gjyqtarë që shkelin ligjin dhe është detyra juaj që në këtë rast nuk duhet të tolerohet”, vijoi Kryeprokurori Sollaku. Ai tha se, Parlamenti do të miratojë një paketë ligjore kundër korrupsionit në datën 22 të këtij muaji, paketë, e cila i jep mundësi organeve të ndjekjes penale që të vënë në akuzë në kushte më të lehta prokurorët dhe ata zyrtarë që shkelin ligjin.

Prezantimi

Kryehetuesi bëri prezantimin e prokurores së re të Rrethit të Fierit, pas largimit nga ky institucion të prokurorit Ardiatik Llallaj, i cili u emërua në Prokurorinë e Tiranës. Prej ditës së djeshme, në krye të organit të akuzës së Rrethit të Fierit, do të jetë Marjeta Zaimi. Ish-zëvendësprokurore në këtë prokurori gjatë drejtimit të prokurorit Llallaj. Zaimi mori këtë detyrë pas pas largimit në një tjetër detyrë të ish-prokurorit Ardiatik Llallaj, i cili, tashmë mban postin e zëvendësprokurorit në Rrethin e Tiranës. Prokurori i Përgjithshëm, Sollaku dhe drejtori i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla, kanë folur për rezultatet e larta të Prokurorisë së qytetit të Fierit në luftën kundër krimit. Kryeprokurori është përqendruar edhe në ndryshimet në legjislacion, të cilat forcojnë punën e Prokurorisë në goditjen e krimit të organizuar. Zyrtarët e lartë të akuzës shqiptare kanë vënë në dukje nevojën për administrimin më të mirë të provave materiale, në bashkëpunim me policinë. Sollaku dhe Shtylla, e kanë vënë theksin gjithashtu te nevoja e një pune të kualifikuar dhe profesionale nga punonjësit e Prokurorisë. Në takimin e djeshëm, ishin të pranishëm kryetari i Gjykatës së Fierit, Armando Subashi, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Hasan Rama dhe drejtuesi i Prefekturës.

23 shkurt 2004

Në raportin vjetor që paraqiti në Parlament, Sollaku nënvizoi se, gjykatat lirojnë të arrestuarit, duke bërë që opinioni publik në jo pak raste të mendojë se, po u ndoq një i dyshuar në gjendje të lirë, drejtësia është e korruptuar. Kjo ndodh duke hedhur poshtë provat e Prokurorisë dhe policisë, që me shumë mundim ka arritur të arrestojë një person të dyshuar dhe duan që gjendja e arrestit të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së procedimit të autorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›