E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hakmarrja": Policia e Vlorës dhe Elbasanit nuk di shtëpitë e të pandehurve

18/10/2004  TIRANË – Dështon seanca e parë gjyqësore, planifikuar për t'u zhvilluar në orën 9.30 minuta të ditës së djeshme, kundër grupit "Hakmarrja për Drejtësi". Shkak për dështimin e seancës u bë mosardhja e konfirmimit nga policia për vendndodhjen e të pandehurve që janë në mungesë. Gjyqtarja Flora Hajredinaj tha dje se policia e Vlorës dhe ajo e Elbasanit, janë njoftuar për të bërë të ditur vendndodhjen e të pandehurëve, por prej tyre nuk është sjellë asnjë konfirmim. Ata nuk e kanë zbatuar urdhrin e gjykatës për identifikimin e adresave të të pandehurve. Edhe toga e shoqërimit, sipas gjykatës, nuk e kishte planifikuar për të sjellë para saj të pandehurin e arrestuar Gëzim Gjoni. Ndërkohë që njëri prej avokatëve, Novruz Hasanaj, edhe pse ishte njoftuar, nuk u paraqit në sallën e gjyqit.

Prokurorët

Nga ana tjetër, katër prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi, Julin Papa, Etjen Kapo dhe Genci Qano, ishin në sallën e gjyqit të gatshëm për të vazhduar seancën gjyqësore. Gjyqtarja, që drejton procesin gjyqësor kundër grupit të quajtur "Hakmarja për Drejtësi", Flora Hajredinaj, tha dje se vetëm policia e Tiranës ka sjellë konfirmim për të pandehurit Kreshnik Spahiu, Orik dhe Leart Shyti. Gjykata tha se të pandehurit nuk ndodhen në shtëpitë e tyre. Seanca e radhës do të jetë më 1 nëntor. Akuza është e detyruar që të rikthehet në fillimin e muajit pasardhës në gjykatë, për seancën e dytë.

Të pandehurit

Të pandehurit e ashtuquajturës organizata "Hakmarrja për Drejtësi" janë Orik Shyti, Leart Shyti, Nikolin Novruzaj, Pasho Novruzaj, Gentian Caka, Dritan Hate, Kreshnik Spahiu, Gëzim Gjoni, Altin Arapi. Të pandehurit e kësaj organizate akuzohen nga organi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një sërë veprash penale, ndër të cilat mund të përmendim vjedhje me armë, vrasje, rrëmbim personi, vënia e bombës në supermarketin "Vefa". Pjesëtarët e këtij grupi janë të gjithë me masën e arrestit burg pa afat, të vendosur në mungesë. Ndërkohë që Gëzim Gjoni, i arrestuar në Vlorë, gati një vit më parë, vazhdon të qëndroj në burgun e sigurisë së lartë 313-të. Altin Arapi nuk arriti të ekstradohet sipas kërkesës së bërë nga autoritetet e drejtësisë sonë. Gjykata belge e la të lirë, duke i dhënë të drejtën për të aplikuar për azil politik. Nga ana tjetër, vëllezërit Shyti vazhdojnë të qëndrojnë në Zvicër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›