Bamir Topi, mbështetje Toros për pronat
18/10/2004 Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, në një prononcim për media mbështet kandidaturën e Agim Toros, si anëtar në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ai shprehet se "mbështesim një përfaqësues të Shoqatës Pronësi për Drejtësi në Komitet". Sipas Topit, kjo mbështetje bëhet për zbatim me transparencë të ligjit të miratuar pa konsensus. Numri dy i selisë blu shprehet se mbështetja e kandidaturës së sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës Pronësi për Drejtësi bëhët për të kontrolluar rastet abuzive, që "qeveria ka operuar në mënyrë flagrante dhe të përsëritur me tokat shtetërore pranë zonave turistike, çka do të ishin një objekt për kompensimin fizik të pronarëve. Kjo shoqatë ka marrë pjesë në të gjithë etapat e aprovimit dhe miratimit të ligjit dhe, ndonëse nuk kanë qenë dakord që të vendosen në krye të këtij procesi për një transparencë". Topi përforcon idenë se çdo emër që do të vijë nga kjo shoqatë për këtë post do të ketë mbështetjen e PD-së, sipas tij "nuk ka asnjë lloj kontradikte, ato do të jenë atje për të kontrolluar procesin". Emri i Toros është kundërshtuar dje nga reformatorët, të cilët kanë deklaruar se Shoqata Pronësi me Drejtësi ka konflikt të drejtpërdrejtë interesi në rast se do të përfaqësohet në këtë komitet. Ndaj, Toro nuk mund të jetë anëtar. Ndërsa dhe përfaqësuesit e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar kanë kërkuar të kenë një përfaqësuesin e tyre. Kjo ka sjellë dhe replika mes kreut të republikanëve Fatmir Mediut dhe ish-anëtarit të PR-së, Maksim Begeja.