LSI nis takimet me elektoratin në Shkodër
18/10/2004 Dje, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zv.kryetari, prof. dr. Sokol Axhemi dhe anëtari i Komitetit Drejtues Kombëtar dhe drejtues i Lëvizjes Rinore për Integrim, Dritan Ylli, morën pjesë në një takim me mbi 200 anëtarë të LSI-së të Zonës Elektorale Nr. 4, komunat Ana e Malit, Velipojë dhe Dajç. Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u përqëndrua mbi problemet, me të cilat ballafaqohet sot Veriu i vendit dhe veçanërisht Shkodra dhe komunat e saj. Ai kërkoi një mbështetje më të madhe për zhvillimin e biznesit të vogël e të mesëm në këto rajone dhe veçanërisht mbështetjen me përparësi të fermerëve të zonës, të cilët ballafaqohen me probleme të shumta. Ai kërkoi fuqizimin e një sistemi kreditues për bujqësinë, agrobiznesin dhe agroturizmin, të cilat janë sektorë me zhvillim të shpejtë, që krijojnë të ardhura dhe ulin papunësinë. Anëtari i KDK-së, njëkohësisht njëri nga drejtuesit kryesorë të LRI-së, Dritan Ylli, u përqëndrua në mbështetjen që LSI ka gjetur te rinia dhe veçanërisht shtrirja e suksesshme e LRI-së në pjesën më të madhe të vendit. "Brenda një kohe të shkurtër, ne do të organizojmë edhe Konventën e organizatës, e cila përfaqësohet me 20% të numrit të përgjithshëm në të gjithë strukturat drejtuese të LSI-së. Angazhimi i rinisë duhet të përfaqësojë një alternativë serioze për zhvillimin dhe integrimin e vendit në BE dhe jo të shohim largimin si të vetmen shpresë për një jetë më të mirë. Ne do ta ndërtojmë atë jetë këtu në Shqipëri", tha Ylli në fjalën e tij. Gjithashtu, drejtuesi i LRI-së kërkoi angazhimin e qeverisë me financime në këto zona, që janë lënë në harresë.