E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajdin Lame: Kam qenë polic i rreptë kundër krimit

18/10/2004  TIRANË – Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit dhe biznesmeni i njohur Vajdin Lame është shprehur dje se nuk ka qenë ai objekt i atentatit, ku mbeti i plagosur bashkë me inxhinierin Xhevahir Ngjeqari, të premten e javës së shkuar. I pyetur për detyrën e tij të mëparshme në polici, Lame tha se “ka pesë vite që nuk jam më në radhët e policisë. Kështu që duke qenë se jam edhe personazh pak a shumë publik, do të thosha që edhe nëse unë isha objektiv i atij atentati, nuk mendoj se aty do të ishte vendi më i përshtatshëm. Pasi në gjithë këtë kohë, pas punës time në polici, unë kam qenë komplet i lirë, gjithë kohën në lëvizje, në vende më të favorshme ndoshta, ku krimi mund të ishte më i egër dhe më i pazbulueshëm”, tha Lame gjatë një interviste për televizionin kombëtar Klan. “Nuk di të kenë patur ndonjë arsye. Mendoj se arsyeja e vetme do të ishte ndoshta ndonjë marrëdhënie ime gjatë kohës së punës kundër krimit. Edhe kjo nuk më bën të kujtoj asnjë rast konkret, kështu që unë e përjashtoj në mënyrë kategorike, që të kem qenë objekt sulmi”, i tha dje biznesmeni Vajdin Lame, televizionit Klan.

Atentati

Në një intervistë për televizionin “Top Channel”, presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Vajdin Lame, ka sqaruar se “jemi qëlluar të tre, në kohën kur nuk kishim një distancë më shumë se një metër, nga njëri-tjetri. Në momentin e atentatit kemi qenë fare pak metër të shkëputur nga njëri-tjetri. Dhe për shpjegime të tjera mendoj se, duke qenë se jam pyetur në polici, kam dhënë të dhëna të mjaftueshme dhe për aq sa unë kam dijeni, se si është zhvilluar mekanizmi konkretisht. Se si mund të paracaktohet motivi, dhe kush ishte objekt sulmi nga ne të tre, kur qëllohet nga një apo dy gryka zjarri, dhe ne përballë kësaj flake zjarri ndodhemi tre persona bashkë”, është shprehur Lame. “Ndërkohë që nuk ka autorë. Këtu është bërë e radhës që të paracaktohet motivi dhe autori nuk dihet. Ky është paradoksi më i madh në çdo kuptim. Si në kuptimin profesional policor, ashtu edhe investigativ gazetaresk. Unë kam lexuar që mund të kisha qenë dhe unë motiv i këtij krimi, që unë do ta quaja ordiner, sepse nuk mund të them më shumë, pasi nuk mund të di më shumë, dhe për sa kohë policia dhe prokuroria nuk kanë dalë në një konkluzion profesional dhe të saktë”. Lame kërkoi patjetër dhe me ngulm që të zbulohet ngjarja.

Lame

“Ekzistojnë indiciot kryesore, ku mund të shkohet drejt autorit. Dhe më vonë drejt motivit. Këtu ka spekulime të llojit që nga një fjalë e një polici, që mund të jetë një polic i keq, gazeta vë kryeartikull, paracakton motiv, vetëm autorët kanë ngelur pa u paracaktuar në këtë rast”, tha Lame. “Unë kam qenë një polic i rreptë, në luftën antikrim, kryesisht dëri në vitet '98, dhe aq më tepër në kohët më të vështira, dhe kush më njeh në aspektin profesional them se do të jem shumë i besueshëm për këto që po them. Rendi publik është shumë i cënuar. Këtu nuk bëhet fjalë që të zbulohen autorët e atentatit ndaj ne të treve. Dhe them që zbulimi i autorëve të atentatit, ndaj ne të tre personave, ku pak a shumë jemi publikë, do të ndikojë edhe më tepër në shëndoshjen e një klime besimi drejt rivendosjes dhe sigurisë publike në vend”, u shpreh Lame. Ai kritikoi mediat e ndryshme, të cilat, sipas tij, nxitohen të japin vendime përfundimtare pa folur më parë drejtësia.

Prokuroria: Kemi gjurmët e autorëve

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po merret me hetimin e atentatit, thanë dje se dy gjurmë gishtash janë zbuluar në makinën dhe armën e braktisur prej autorëve të ngjarjes. “Ajo çfarë na ka dhënë një ndihmë të veçantë, ka qenë shuarja e zjarrit nga banorët e zonës, ku është lënë e braktisur makina tip “Opel”. Banorët e zonës i kanë shuar flakët që kishin mbuluar makinën, duke shpëtuar nga flakët dy gjurmët të lëna nga atentatorët”, i thanë dje gazetës burimet zyrtare të institucionit hetimor. Sipas tyre, është provuar se njëra prej gjurmëve nuk është e skeduar nga organet e policisë, ndërsa për gjurmën tjetër, zyrtarët e lartë të Prokurorisë, thonë se do të flasin vetëm pas ekspertizës, pasi deri dje nuk ka patur një konkluzion. Njëra nga gjurmët e autorëve është gjetur në dy karrikatorët e armës, që është përdorur në krim, ndërsa gjurma tjetër (pëllëmbë dore) është gjetur në kroskotin e makinës së braktisur.

Atentati natën e së premtes

Mbrëmjen e së premtes, javën e shkuar, pasi Arian Çani, Vajdin Lame dhe Xhevahir Ngjeqari, kishin dalë nga redaksia e televizionit Arbëria, janë qëlluar me breshëri në afërsi të Muzeut Kombëtar, në qendër të Tiranës. Lame dhe Ngjeqari kanë qenë të ftuar në emisionin e Arian Çanit “Zonë e Lirë”, i cili është transmetuar direkt. Pas breshërive, biznesmeni Vajdin Lame dhe inxhinieri Xhevahir Ngjeqari mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital. Çani, i ndodhur me dy të plagosurit, ka shpëtuar nga plumbat me një lëndim të lehtë në këmbë. Policia është përqëndruar në transportimin e tyre në spital, duke u dhënë mundësi autorëve të largohen. Ata e kanë braktisur makinën “Opel” me targa të huaja në afërsi të Shkollës së Kuqe dhe i kanë vënë flakën, duke hedhur edhe armën e krimit brenda saj. Banorët e zonës kanë shuar zjarrin, duke shpëtuar nga zhdukja gjurmët e autorëve.

Policia pohon se personat që qëlluan mbi Lamen dhe ngjeqarin janë amatorë

Dyshimi, atentatorët e "Zonës së lirë", të paguar

Personat që qëlluan mbi Vajdin Lamen dhe Xhevahir Ngjeqarin janë amatorë. Ata janë paguar nga ndokush i interesuar për eliminimin fizik të shënjestrës, duke u shfrytëzuar njëkohësisht për inate personale me shenjestrat. Arma e krimit nuk është kallashnikov, por e një lloji të veçantë.

Hetimet

Sa më tepër thellohen hetimet mbi zbulimin e autorësisë së atentatit ndaj "Zona e lirë" të premten mbrëma, aq më tej ndërlikohet çështja. Burime të rezervuara nga Ministria e Rendit Publik shprehen se personat që qëlluan mbi kryetarin e Federatës së Boksit dhe inxhinierit të ndërtimit, kanë qenë amatorë. Dy atentatorët u dyshuan si diletantë në "zanatin" e kriminelit që në orët e para pas krimit. Ekspertët e lidhën këtë hipotezë me faktin që asnjë nga plumbat e qitura nga arma e tyre nuk goditi në shenjë. Dëmtimet e shkaktuara tek dy të plagosurit janë fare të lehta, duke përligjur kësisoj, dyshimin e policisë kriminale. Të njëjtat burime saktësojnë se, duke iu referuar përvojës së mëparshme të ngjarjeve të tilla, ekzekutorët kanë arritur të realizojnë synimet e tyre dashakeqe në një largësi të konsiderueshme me objektin. Ata janë larguar me shumë bujë nga vendi i ngjarjes, karakteristikë e gjaknxehtëve, të frikuar nga mbërritja e policisë. Për të mos mjaftuar me kaq, djegia e makinës në një vend publik përbën një fakt tjetër të rëndësishëm në vërtetimin e hipotezës më të re dhe njëkohësisht kryesore të hetimeve mbi ngjarjen. Dy personat që kryen atentatin nuk ishin kujdesur aq sa duhet për të zhdukur shenjat nga automjeti i krimit. Në makinë, policia arriti të zbulonte gjurmët e gishtërinjve të personit që drejtonte mjetin.

Hipotezat

Atentatorët mund të jenë paguar nga një person i interesuar për eliminimin fizik të Xhevahir Ngjeqarit apo Vajdin Lames. Ndonëse shënjestra nuk është përcaktuar ende në rrugë shkencore, grupi hetimor aludon se njeriu që dëshiron vdekjen e të plagosurve ka derdhur shuma të mëdha parash për të realizuar synimin e tij. Ka preferuar të zgjedhë vrasës amatorë për të shmangur zbulimin e autorëve. Policia njeh tashmë një numër të konsiderueshëm ekzekutorësh, që paguhen për "shërbime" të këtij lloji. Madje, disponon dhe fotografitë si dhe shenjat e gishtërinjve të tyre. Shumica e killerave me para kanë precedentë të mëparshëm penalë. Kjo e lehtëson shumë punën e grupit hetimor, për të zbuluar autorin. Ndaj, personi që ka paguar për të vrarë të premten mbrëma, zgjodhi rrugën më të lehtë, duke autorizuar joprofesionistë. Veç kësaj, dyshohet se edhe në atentatin e së premtes mbrëma, pranë redaksisë së TV Arbëria, është proceduar si një vrasjen e Mirit të Xhikes. Dikush, shfrytëzoi një konflikt apo armiqësi të vrasësve me viktimën, për ta stimuluar në ekzekutim. Ndër të tjera, dyshohet se me të djegur makinën, dy atentatorët janë larguar nga Shqipëria. Nuk dihet ende nëse kanë udhëtuar me dokumente të rregullta apo në rrugë ilegale. Sakaq, vërtetohet se arma e krimit nuk është kallashnikov dhe as pistoletë. Bëhet fjalë për një mjet të specializuar, që karakterizohet nga precizioni. Aludohet kështu, duke iu referuar analizimit të gëzhojave të plumbave, gjetur në vendin e ngjarjes.

F. Bramo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›