E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuro një libër, të marrësh një trëndafil

Sot festohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe përkujtohet vdekja e Servantesit. Ambasada Spanjolle në Tiranë organizon një sërë aktivitetesh kulturore

Petrika GROSI
Dita e sotme, 23 prilli, konsiderohet si Dita Ndërkombëtare e Librit. Në veçanti për Gadishullin Iberik, kjo datë festohet me nje entuziasëm dhe motiv të dyfishtë, pasi ka të bëjë edhe me përvjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh, krijuesit të Don Kishotit të Mançës, Miguel Servantes. Po kështu, 23 prilli festohet nga spanjollët edhe si dita e San Jordit, padronit të Katalunjës. Një traditë tepër e veçantë dallon në mënyrën e festimit të kësaj dite në Spanjë, e cila është përhapur edhe në vendet e tjera; Njerëzit dalin e festojnë dhe djemtë me vajzat shkëmbejnë librat me trëndafila. Nën moton “Dhuro një libër, të marrësh një trëndafil”, kjo festë vjen për të disatin vit radhazi, të gjallojë jetën kulturore të metropolit shqiptar me një sërë aktivitetesh të mbështetura nga Ambasada Spanjolle në Tiranë. Po kështu, në këtë datë tepër simbolike për letërsinë globale, që nga viti 1930 në Spanjë bëhet një lexim publik dhe i vazhduar i kryeveprës së Miguel De Cervantes, “Don Kishoti i Mançës”, nga personalitete të rëndësishme të botës së kulturës, politikës, ekonomisë si dhe qytetarë të thjeshtë. Ambasada e Spanjës në Shqipëri ka njoftuar se i bashkangjitet sërish këtij kremtimi të librit, si instrument komunikimi dhe të leximit, si një kënaqësi në dispozicion të të gjithëve, me dy akte në datat 23 dhe 24 Prill. Sipas njoftimit për shtyp të Ambasadës Spanjolle në Tiranë, gjatë paradites së sotme, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, do të ndahen çmimet e konkursit të ri letrar, “Don Kishoti i Mançës”, për tregimin më të mirë të shkurtër. Më tej, është menduar të organizohet një takim letrar me shkrimtarin Fatos Kongoli, i cili kohët e fundit është kthyer nga një udhëtim i kryer në tokën e aventurave të Don Kishotit, e në fund, mbrëmja do të mbyllet me një lexim kolektiv të dy kapitujve të parë të kryeveprës së Servantesit, që do të bëhet nga personazhe të njohur të jetës kulturore, akademike e politike shqiptare. Ndërkaq, nesër më 24 prill, gjatë pasdites është menduar që në hollin e Muzikës së Dhomës në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, të jepet koncerti me titull “Kishotë të tjerë”, i cili do të përmbaje në programin e vet muzikë spanjolle të ndërthurrur me fragmente të zgjedhura nga “Don Kishoti i Mançës”. Artistët që do të marrin pjesë në këtë shfaqje janë: Pandush Gjezi (violinë), Francisco José Segovia Catalán (piano) dhe Gëzim Rudi (interpretim). Një mesazh tjetër i kësaj dite, ndoshta do të ishte, “një kafe më pak, e një libër më shumë”. Është vërtet për të ardhur keq kur mendojmë se lexuesit kanë ardhur gjithnjë e më tepër në rënie, sidomos, dekadat e fundit gjatë tranzicionit të vështirë të shoqërisë shqiptare.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›