Sejdiu i kërkon Sllovakisë të njohë Kosovën
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është takuar gjatë ditës së djeshme me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Jan Kubish, të cilit i ka kërkuar që vendi i tij të njohë pavarësinë e Kosovës. “Unë edhe një herë kam kërkuar me argumente dhe drejtpërdrejt që Sllovakia të shpejtojë me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke e kuptuar realitetin praktik që është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe të njëjtën kohë vazhdimin e një bashkëpunimi në partneritet në lëvizjet tona drejt integrimeve euroatlantike”,-tha Sejdiu. Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Sllovakisë, Kubish, u shpreh se Sllovakia ende nuk e ka ndryshuar pozicionin rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës megjithatë ai ka vënë në dukje gatishmërinë e vendit të tij që në konferencën e donatorëve të marrë pjesë me projekte konkrete në fusha të caktuara. “Kam dëgjuar shumë qartë dhe drejt kërkesën e Presidentit Sejdiu për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa unë kam konfirmuar se pozicioni i vendit tim tani për tani mbetet ashtu siç është”,- tha Kubish duke rikujtuar se Sllovakia ka dhënë pëlqimin e saj për dërgimin e misionit EULEX në Kosovë si dhe ka njoftuar se ky vend ka shtuar praninë e vet në KFOR.
Kroacia përfundon bisedimet e para për anëtarësimin në NATO
Agjencia kroate e lajmeve “Hina” ka bërë të ditur se Kroacia ka mundur të përfundojë raundin e parë të bisedimeve të anëtarësimit në NATO, në Bruksel. “Përfunduam me sukses raundin e parë të negociatave, që u përqendruan në çështjet politike dhe ushtarake. Shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në mbrojtjen kolektive dhe për të kontribuar në procesin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në komunitetin euroatlantik”,-deklaroi shefja e ekipit negociator kroat, Bianca Matkoviç. Sipas Matkoviçit, NATO-ja konfirmoi se Kroacia kishte plotësuar të gjitha kushtet nëpërmjet gjashtë fazave të Plan-veprimit për Anëtarësim.
Koshtunica: “Nënshkrimi i MSA-së me BE-në para zgjedhjeve, kurth”
Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka paralajmëruar rivalët e tij që të mos nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim-Acociimit me Bashkimin Europian para zgjedhjeve pasi që ky është kurth për të njohur Kosovën. “Kjo marrëveshje është në interes të komisionarit europian Oli Rehn dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana, por nuk është në interesin kombëtar të Serbisë, pasi do të interpretohet se Serbia e ka nënshkruar njohjen e pavarësisë së Kosovës”,-është shprehur Koshtunica lidhur me kërkesën e Brukselit për nënshkrimin e marrëveshjes para zgjedhjeve të 11 majit.
Pensilvani, Klinton kërkon fitoren e demokratëve
Janë përballur dje në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kandidatët demokratë Obama Klinton dhe ish-zonja e parë Hilari Klinton. Në këtë shtet, ku mbizotëron forca punëtore shanset më të mëdha, mendohet të jenë për kandidaten Klinton. MË herët mediat amerikane paralajmëruan një pjesëmarrje të lartë. Pretendentja kryesore, Klinton, për të qëndruar në garë duhet të arrijë një fitore të fuqishme ndaj rivalit Barak Obama në mënyrë që të marrë mbështetjen e kandidatëve. Sipas disa sondazheve të publikuara, Klinton kryeson me 10 për qind të votave, ndërsa Obama kryeson me numër delegatësh në shkallë kombëtare.
23 Prill 2008