E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB, SHBA-të dhe Britania kundërshtojnë zgjedhjet lokale serbe në Kosovë

Ambasadori i SHBA-ve në OKB, Khalilzad: “Zgjedhjet serbe në Kosovë, jo legjitime”. Rusia, pro zgjedhjeve: Mbajtja e tyre në Kosovë, e drejtë e pamohueshme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe në takimin e Këshillit të Sigurimit janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe i kanë kërkuar Serbisë të tërheqë vendimin që këto zgjedhje të zhvillohen edhe në enklavat serbe në Kosovë. Në mbledhjen e mbyllur, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, kërkoi që zgjedhjet e 11 majit në Serbi të mbahen edhe në Kosovë. “Ne nuk po bëjmë dhunë në Kosovë. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbrojtur jo vetëm serbët, por edhe njerëzit e tjerë që jetojnë në Kosovë. Në këtë pikëpamje ne mbrojmë të drejtën ndërkombëtare por duhet të them se pas shpalljes së pavarësisë, e cila ishte një akt ilegal, ne kemi kaq shumë probleme në mbarë botën. Të gjithë separatistët në botë po përpiqen të ndërmarrin veprimin e njëjtë”,-tha Tadiç.
Pas këtij takimi ku mori pjesë edhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmai Khalilzad, e konsideroi mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë të padobishme. “Ne besojmë se këto zgjedhje nuk duhet të mbahen sepse ato do të ishin jo legjitime”, - tha Khalilzad. Të njëjtin mendim me ambasadorin amerikan shprehu edhe ambasadori i Britanisë në OKB Xhon Sauers. Sipas tij mbajtja e zgjedhjeve në baza etnike do të ishte përçarëse dhe e padobishme. “I kërkojmë Serbisë të tërheqë vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve në baza etnike brenda Kosovës”,-është shprehur Sauers. Edhe shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, në mbledhjen e KS-së që është zhvilluar me dyer të mbyllura tha se mbajtja e zgjedhjeve lokale do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244, sipas së cilës UNMIK-u vepron në Kosovë. Por si gjithmonë anën serbe e ka mbajtur Rusia nëpërmjet përfaqësuesit të saj Vitali Çurkin, i cili ka shprehur bindjen për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë si një e drejtë e pamohueshme e banorëve serbë. “Ne besojmë se serbët kanë të gjitha të drejtat për t’i organizuar zgjedhjet e tyre parlamentare e lokale kudo që u përshtatet”,-u shpreh Çurkin pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Qëndrim të kundërt me Çurkin ka mbajtur kryeministri kosovar Hashim Thaçi sipas të cilit tashmë Kosova është shtet sovran. Ai ka sqaruar se qeveria e shtetit të ri respekton dyshtetësinë për qytetarët serbë të Kosovës duke lënë kështu të kuptohet se zgjedhjet lokale do të ishin të pavlefshme megjithatë nuk do të ishte kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 11 maj. Sipas Khalilzad dhe Sauers, njohja e pavarësisë së Kosovës po rrjedh ngadalë megjithatë mjaft suksesshëm pasi vetëm për 64 ditë Kosovën e kanë njohur 37 shtete. Ata kanë përshëndetur qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit për përmbajtjen nga dhuna, duke pohuar se Rezoluta 1244 mbetet në fuqi mirëpo kanë vlerësuar se, për shkak të ndryshimit të gjendjes në terren duhet modifikuar mandati e UNMIK-ut. “Është me rëndësi që UNMIK-u të bashkëpunojë me pushtetin në Kosovë, gradualisht të zvogëlojë prezencën e tij, dhe të mbetet i fortë në luftën kundër dhunës”,-tha Khalilzad.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›