E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak: “Komuniteti serb në Kosovë, viktimë e politikës së Beogradit”



Beogradi nuk po e respekton Rezolutën 1244, sipas së cilës vetëm UNMIK-u ka të drejtë të organizojë zgjedhje në Kosovë. I humbur nga ky veprim është kryesisht komuniteti serb si viktimë e politikës së Beogradit. Kështu është shprehur kryesuesja e delegacionit të Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Europian, Doris Pak, pas vizitës në Kosovë. “Beogradi nuk mund të kërkojë zbatimin e Rezolutës 1244 vetëm për të përmbushur qëllimet e veta. Kjo rezolutë ve në dukje në mënyrë të qartë se mbajtja e zgjedhjeve është e drejtë e UNMIK-ut dhe se kjo e drejtë duhet respektuar”,-tha Pak. Përfaqësuesit e këtij delegacioni kanë përshëndetur Kushtetutën e re të Kosovës dhe kanë porositur për zbatimin sidomos të ligjeve mbi të drejtat e minoriteteve. “Kemi përshëndetur liderët dhe popullin e Kosovës për maturinë e tyre. I kemi inkurajuar që të tregojnë mirëkuptim për problemet dhe nevojat e komuniteteve të tjera”,-u shpreh Doris Pak. Ndërkohë, austriaku Johanes Svoboda deklaroi se Kushtetuta e Kosovës është shembull sa i përket të drejtave mbi mbrojtjen e minoriteteve. Ai ka thënë se kjo vërteton se Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë kuptuar rëndësinë e mbajtjes si dhe të përforcimit të karakterit shumetnik në Kosovë, duke shtuar se tani duhet zbatimi rigoroz i parashikimeve të tyre.

Greqia dëshiron anëtarësimin e fqinjëve në NATO

Greqia dëshiron që të gjithë fqinjët e saj të bëhen anëtare të NATO-s. Kjo ka qenë deklarata e ministrit grek të Mbrojtjes, Evangelos Meimarakis, gjatë një interviste për agjencinë greke “Ana”. Sipas tij, Athina është në pritje të një gjesti që do të tregonte vullnetin e mirë të Shkupit, për zgjidhjen e kontestit për emrin. Ministri Meimarakis është shprehur optimist për gjetjen e një zgjidhje për emrin edhe pse nuk dihet se kur mund të ndodhë kjo meqenëse Maqedonia gjendet në një periudhë parazgjedhore. Ministri grek i Mbrojtjes ka theksuar se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore mes të dyja vendeve janë të mundshme vetëm nëse problemi me emrin zgjidhet. “Kryeministri Karamanlis edhe vetë është maqedonas, ndërsa fakti se ai pranoi emër të harmonizuar me pikëpamje gjeografike për IRJM-në është dëshmi e pakontestueshme për stabilitetin rajonal dhe paqen, që nuk duhet të llogaritet si lëshim”,-tha në intervistën për agjencinë “Ana” ministri grek i Mbrojtjes, Meimarakis.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›