E Diel, 1 Nëntor 2026

Vallëzim mbi akull shumë të hollëNga Peggy Noonan, “Wall Street Journal”Gjatë një fjalimi në Kolorado dikush më pyeti, nëse isha e shqetësuar me disa nga të emëruarit në administratën e Obamës. Pyetësi iu referua mospëlqimit të konservatorëve për Van

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Vallëzim mbi akull shumë të hollëNga Peggy Noonan, “Wall Street Journal”

Gjatë një fjalimi në Kolorado dikush më pyeti, nëse isha e shqetësuar me disa nga të emëruarit në administratën e Obamës. Pyetësi iu referua mospëlqimit të konservatorëve për Van Jones, këshilltar special për vendet e punës pro mjedisit në Këshillin për Mjedisin të Shtëpisë së Bardhë. Përveç një flirtimi me radikalizmin, Jones, në shkurt, u përpoq në mënyrë të dukshme të rrokte esencën e GOP në një fjalim në Berkeley, Kaliforni. “Republikanët janë...”, - tha ai. Ne nuk i botojmë fjalët që përdori ai, por iu referua një pjese të trupit që merret me jashtëqitjen. Ai fliste në përurimin e Rahm Emanuel Center për studimin e mirësjelljes politike. Ha, ha, thjesht shaka.

Por mua nuk më shqetëson zoti Jones. Të gjitha administratat e mëparshme në nivelet e mesme dhe të ulëta tërheqin një numër aktivistësh nga skajet. Por, ngaqë janë ekstremë, ata bëhen kundërshtues, e ngaqë janë kundërshtues, bëhen të paefektshëm. Kështu punon sistemi.

Shqetësim më i madh rreth stafit të Obamës dhe të emëruarve prej tij është fakti që ata janë shumë të rinj dhe relativisht të pa sprovuar. Dhe jo vetëm të rinj e të pa sprovuar, por edhe triumfatorë. Ata janë në qiell. Ata erdhën nga hiçi dhe zgjodhën njeriun e tyre që i kishte të pakta shanset. Kundër gjithë parashikimeve, ata mposhtën një makinë (Clinton-ët) dhe një përbindësh (republikanët, triumfuesit e përhershëm). Tani ata nuk i ndalon asgjë. “Le të bëjmë gjëra të mëdha, të bëhemi heronj.” Heroizmi ka qenë sëmundja e jetës politike amerikane për një dekadë. Nofullat e Amerikës kanë ndeshur në kockë për shkak të tij.

Si për t’i bërë gjërat më keq, gjatë dhjetë muajve të fundit ndihmësit e Obamës janë lavdëruar me tepri nga miqtë e tyre në media, të cilët, ose janë me ta, ose lëvdojnë burimet e informimit. Si nuk më more në telefon, kur unë të quajta “i shkëlqyer, virtuoz” në “Time”?

Përdora “i shkëlqyer, virtuoz” pse pikërisht kështu e quajti Arthur Schlesinger Jr-in një gazetar, një figurë e administratës së John F. Kennedy-it, i cili u bë objekt lëvdimesh të shumta e të merituara. JFK e pa dhe qeshi: “Mos harroni që, sikur një mijë votat tepër t’i kishte marrë pala tjetër, ne do të ishim idiotë virtuozë.” JFK ishte i ri edhe vetë, por ai kishte marrë pjesë në luftë dhe kishte qenë sëmurë që në fëmijëri, gjëra që e moshojnë njeriun.

Përse duhet të shqetësohemi për të rinjtë në Shtëpinë e Bardhë? Sepse ata nuk janë rrahur me jetën, ata nuk janë mundur kurrë. Ata nuk kanë mësuar nga dështimet, sepse nuk kanë dështuar kurrë. Ata nuk e dinë se cilat janë shenjat e rrezikut. Ata nuk kanë kaluar kohë në anën e të humburve.

Ndihmësit e rinj të zotit Obama janë punëtorë, me humor dhe të zgjuar, por do dëshiroja që ata të provonin edhe dhimbjet e artritit, do dëshiroja të rrëfenin histori të vjetra lufte, ku kishin marrë pjesë, do dëshiroja që ta kishin idenë se si duket një qeveri që këput lidhjet e saj me qytetarët.

***

Ata janë të zënë me përgatitjen e fjalimit të tij në Kongres për kujdesin shëndetësor. Do të jetë e vështirë të dalin mirë. Presidenti do t’iu flasë tre grupeve: elitës politike të dy partive dhe medias, përkrahësve të tij në terren dhe qytetarëve shumë të informuar që tashmë janë vendosur pro ose kundër planit të tij, por duan të dëgjojnë, mendohen dhe të formojnë opinionin e tyre për fjalimin.

Por masa e madhe e amerikanëve, qendra e madhe, nuk do ta dëgjojnë, kam bindjen unë. Zoti Obama është bërë i mërzitshëm. Dhe nuk është i mërzitshëm solid, diçka normale te një president dhe mund të jetë e mirë. Ai është një dhelpër elokuente e mërzitshme, veçanërisht në lidhje me kujdesin shëndetësor. Ka shumë mundësi që presidenti të mos e dijë këtë, dhe njerëzit e tij nuk do t’ia kenë thënë, se ata nuk e dinë as vetë, por zoti Obama ka gjithmonë të njëjtin zë, qasje, logjikë, ton dhe formulim. Ai mban gjithmonë të njëjtin qëndrim. Pa humor ose përulje. Lajm është surpriza dhe ai nuk bën kurrë lajm.

Në dhjetë muajt e fundit, presidenti e ka pakësuar besimin te qendra e madhe. Ai ka bërë disa gjëra gabim, por njëri nuk ka rënë shumë në sy. Ai eci me shpejtësi, para se të fitonte të drejtën për të ndryshuar një pjesë të madhe të jetës amerikane. Kjo e drejtë fitohet duke fituar besimin. E lëmë mënjanë krizën, liderët duhet të tregojnë, pas një kohe të caktuar dhe një sërë veprimesh, se ata janë të kthjellët, të fortë, largpamës, duke u kujdesur për qendrën. Natyrisht, Amerika e qendrës është e shqetësuar për dy drama, ekonominë dhe luftën, ndërsa presidenti ka treguar që është i shqetësuar për një të tretë, të cilën ata e kanë lënë mënjanë. Shqetësimi i presidentit nuk përputhet me shqetësimin e tyre. Kjo e bën atë, jo ata, të duket jashtë realitetit.

Ai mund t’i befasojë të gjithë duke thënë se bëri gabim dhe se do të kthehet të punojë bashkë me republikanët. Kjo do të ishte interesante dhe produktive. Por në këtë moment askush nuk e pret këtë. Ai do të vazhdojë dhe do të fitojë diçka, një pjesë të asaj që do, dhe titujt do të flasin “Obama fiton betejën e kujdesit shëndetësor”, por kjo do të jetë një fitore katastrofike, e fituar për një çmim të lartë, me humbjen e qendrës së madhe.

***

Në afat të gjatë, problemi më i madh i presidentit m’u bë i qartë vetëm gjatë javës së fundit.

E ndoqa me vëmendje funeralin e Teddy Kennedy-t dhe vura re më qartë se në të shkuarën një dallim kulturor mes elitave të dy partive, demokratëve dhe republikanëve. Thuajse te Kennedy u mblodh gjithë Partia Demokratike, dhe niveli i dashurisë mes atyre që ishin në radhët e para dhe audiencës ishte goditës - qeshnin, përqafoheshin, rrëfenin ngjarje, pranonin dobësi, qanin. Irlanda në kohët e lashta. Nëse do të kishte qenë një ceremoni e establishmentit politik dhe mediatik republikan, situata do të ishte më pak emocionale, shumë më pak dashuri, buzëqeshje me mirësjellje, shtrëngime duarsh të ngrohta, shumë vështrime në horizont. Dikush mund të mbante kokën poshtë e të dukej i pikëlluar, në fakt shkruan sms. Republikanët nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin me domosdo, ata konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe nuk e shikojnë të nevojshme të tregojnë dashuri false për njëri-tjetrin. Ata kanë dinjitetin e vjetër të të moshuarve. Dhe besoj se stili i tyre reflekton një pjesë të filozofisë së tyre: politika nuk është çështje emocionesh, por mendimi.

Dallimi mes dy establishmenteve partiake më goditi, por nuk e kam këtu fjalën. Këtu po: presidenti u fut në funeral dhe shkoi drejt radhëve të para duke përshëndetur me kokë dhe duke shtrënguar duart. Ai e përqafoi zonjën Kennedy, përshëndeti të tjerë me kokë, shtrëngoi duar të tjera. Ai ishte dinjitoz dhe i përmbajtur, tërësisht siç duhej, dhe i ftohtë.

Ai është i ftohtë jo si dikush që është i përmbajtur, sepse është i disiplinuar dhe i zotëron emocionet me sukses, por sepse tek ai nuk ka shumë gjëra për t’i përmbajtur. Kjo është ana e errët e qetësisë. Kjo të çudit, nëse vallë do t’u pëlqejë amerikanëve apo jo. Në afat të gjatë është e vështirë t’i bësh njerëzit të të besojnë, nëse ata mendojnë se ti punon me qetësi mbi disa abstraksione intelektuale ose ideologjike.

Mendoj se si stil presidencial kjo nuk do t’i pëlqejë qendrës. Nuk mund t’i shkojë përshtat as partisë së vetë presidentit. Ata mund të fillojnë ta shikojnë atë si dikë që nuk ngjan me ta. Dhe këtu gjërat nisin e bëhen interesante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›