Dritan Prifti, vjedhjet milionëshe dhe kërkesa për heqjen e imunitetitNga Tema Ministri i ri i Ekonomisë dhe i Energjitikës në Shqipëri, Dritan Prifti, në fillim të vitit 2002 është përballur me akuza zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dritan Prifti, vjedhjet milionëshe dhe kërkesa për heqjen e imunitetitNga TemaMinistri i ri i Ekonomisë dhe i Energjitikës në Shqipëri, Dritan Prifti, në fillim të vitit 2002 është përballur me akuza zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim të detyrës dhe mashtrime gjatë kryerjes së saj. Atëbotë Dritan Prifti, i cili ishte rrëzuar nga posti i Sekretarit të Shtetit për Energjitikën si pasojë e rënies së qeverisë Meta, i ka shpëtuar heqjes së imunitetit, për shkak të tensioneve politike që çuan në shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm dhe për shkak të rrethanave njerëzore që u krijuan atëherë. Dritan Prifti vuante nga një sëmundje e rrezikshme dhe për këtë gjë ai u dërgua të kurohej jashtë vendit dhe për fat të mirë ai e fitoi betejën me sëmundjen e tij. Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim të gjerë për abuzimet financiare dhe të detyrës në korporatën shqiptare të energjisë, KESH, e cila ishte për rreth një vit e drejtuar nga Dritan Prifti, i cili, siç u tha më pas, u bë edhe Sekretar Shteti për Energjinë. Prokuroria e Përgjithshme përpiloi zyrtarisht akuzën dhe nisi shkresën për zhveshjen nga imuniteti parlamentar të Dritan Priftit. Burime të shtypit të asaj kohe tregojnë se kërkesa për të hequr imunitetin e ish-drejtorit të KESH, Dritan Prifti, u vonua, për shkak se parlamenti po shqyrtonte miratimin e qeverisë Majko. Duhet thënë se këto zhvillime në ngarkim të zyrtarëve të lartë të korporatës së energjisë për abuzime bëheshin në sfondin e një beteje të ashpër politike pas akuzave të drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste për zyrtarë të qeverisë Meta për korrupsion masiv dhe pas akuzave shumë të ashpra nga ana tjetër të Partisë Demokratike në opozitë, e cila, veç akuzave për korrupsion, i akuzonte zyrtarët e qeverisë Meta edhe për dhunë ndaj zgjedhjeve dhe manipulim të tyre një vit më herët. Në dokumentacionin e Prokurorisë së Përgjithshme të asaj kohe, i cili rridhte në formë informacioni në shtyp, thuhej se hetimet kanë nxjerrë në pah shkelje të rënda të drejtuesit të KESH, Dritan Prifti. Prokuroria e pati të vështirë të shkojë te nisja zyrtare e hetimeve ndaj deputetit Dritan Prifti, për shkak të mungesës së thellë të vullnetit në parlament nga një grup i madh deputetësh të kontrolluar nga Ilir Meta dhe për shkak të burokracive parlamentare. Më pas rrethanat njerëzore të shëndetit të deputetit Dritan Prifti ishin të mjaftueshme për ta pezulluar heqjen e imunitetit. Do të ishte cinike nga ana e parlamentit që ta bënte këtë gjë, ndërkohë që ai po zhvillonte një betejë për jetën me sëmundjen e tij.
Dritan Prifti, përgjegjës kryesor së bashku me drejtues të tjerë
Personat që prokuroria mori nën hetim për abuzimet në KESH ishin Leonard Mone, drejtor i Prokurimeve në KESH, me akuzën për shpërdorim detyre.
Arben Kruja, ish-drejtor i KESH, me akuzën për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tender. Pritej të formulohej edhe për Dritan Priftin e njëjta akuzë, nëse imuniteti do të hiqej. Prokuroria kishte, sipas saj, dyshime të arsyeshme se personat e mësipërm kishin abuzuar gjatë zhvillimit të tenderëve në detyrën që kanë pasur. Kanë favorizuar firmat fituese në tenderë. Kanë shpallur fituese firmat që kanë dhënë oferta më të larta për blerjen e energjisë nga jashtë. Kanë mashtruar duke deklaruar si angleze, firmën fituese të tenderit të fundit, EFT, që në fakt është firmë serbe. Në vija të trasha këto qenë hullia, ku Prokuroria e Përgjithshme kishte vënë re shkelje të rënda ligjore dhe për të cilat kishte nisur hetimet. Dritan Prifti kishte qenë drejtori i korporatës dhe më pas Sekretar Shteti për Energjinë dhe për pasojë një prej të dyshuarve më të mëdhenj.
4 milionë USD në xhepat e zyrtarëve të lartë të KESH vetëm për një vit!
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga korrupsioni në KESH ndaj shtetit shqiptar vetëm për periudhën tetor-dhjetor 2000 dhe vitin 2001 është 3. 968. 960 USD sipas hetimeve të prokurorisë ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme atëkohë dërguar parlamentit shqiptar për heqjen e imunitetit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të KESH, Dritan Prifti, përmban të dhëna interesante në lidhje me korrupsionin e zhvilluar në këtë institucion me anë të tenderëve të drejtpërdrejtë të urdhëruar nga funksionarët më të lartë të shtetit dhe të firmosur nga ‘administratorë të papërgjegjshëm”. Kështu, për tremujorin e fundit të vitit 2000, nga ana e KESH-it është iniciuar nxjerrja e disa Vendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat mbulonin të njëjtën periudhë kohore me fonde të njëpasnjëshme dhe kjo, për shkak të mosrealizimit në sasi të kontratave nga subjektet e paraqitura nga KESH Këshillit të Ministrave dhe për më tepër me çmime të ndryshme nga të njëjtat subjekte. Si përfundim, dëmi financiar ndaj shtetit si rezultat i parregullsive për tremujorin e fundit të 2000 është në shumën 520 860 USD. Në lidhje me vitin 2001, shkeljet fillojnë që në janar (4 janar 2001) me vlerën 2. 645. 360. 000 lekë. Për t’u përmendur është fakti se nga dokumentacioni i verifikuar del se nuk janë marrë në konsideratë oferta të subjekteve, të cilat kanë tentuar të japin energji me çmim më të ulët, por janë preferuar oferta të subjekteve ndërmjetës të energjisë dhe jo të prodhuesve të saj, që do të thotë se energjia është blerë jo nga “burimi i saj, por nga të tretë për qëllime të qarta të përfitimit.” Në datën 19.09.2000 është bërë prokurim i drejtpërdrejtë në shumën 1. 575 000 000 lekë me procedurën “Kërkesë për kuotim”. Për realizimin e këtij prokurimi nga ana e KESH-it iu është drejtuar ftesë për ofertë 9 subjekteve dhe u paraqitën vetëm 2 firma:
“EPCG” Mal i Zi me çmim 29USD/MWh sasia 150 000 MWh
“EGL” Zvicër me çmimin 30/USD MWh, sasia 77 000MWh.
Kontrata u lidh me firmën EGL, Zvicër dhe u realizua vetëm në masën 83,3% (6.10.2000.) Interesante është se pas shpalljes fituese të firmës nuk rezultojnë asgjëkund faturat e paguara nga ana e KESH dhe nuk rezulton të jetë bërë furnizim me energji në këtë periudhë pa u sqaruar me dokumente apo praktikë dokumentimi. Në datën 31.10.2000 një tender i drejtpërdrejtë për blerjen e energjisë elektrike për periudhën nga 28.10.2000 - 15.11.2000 me fond prej 210. 250. 000 lekësh me subjektin EPCG Mal i Zi. Në mbështetje të vendimit të mësipërm është nxjerrë urdhri i prokurimit i datës 31.10.2000. Në dosjen e tenderit ekziston një draft kontrate e datës 15.10.2000 për sasinë 13, 540 MWh me çmim 34 USD/MWh për mbulimin e nevojave me energji elektrike për periudhën nga 28.10.2000-11.11.2000, pra duke mos mbuluar të tërë periudhën kohore të përcaktuar në V. K. M. Ky subjekt kishte nënshkruar më parë kontratën nr. 10661 datë 06.10.2000 me çmimin 29 USD/MWh. Dëmi financiar mund të eliminohej, nëse do të ishte bërë lidhje e kontratës me çmimin 29 USD/MWh dhe nga ana e KESH nuk lidhej kontrata e dytë me çmim 34USD/MWH dhe si rezultat i diferencës së çmimit, shtetit i është shkaktuar një dëm me vlerë 68. 580 USD. Po në 31.10.2000 është lejuar prokurimi për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 03.11.2000-12.11.2000 me fond 115. 800. 000 në sasinë e 15. 000 MWh. Kjo kontratë nuk ka pasur parasysh faktin se një firmë tjetër kishte ofruar energji me 30USD/MWH dhe subjekti që u lidh kontrata e shiti energjinë në KESH me 31,2 USD/MWh. Dëmi financiar është 14. 400 USD. Kontrata mban firmën e Dritan Priftit. Po në datën 31.10.2000 është lejuar prokurimi për periudhën 31.10.2000 deri në 03.11.2000 me vlerë 159. 515. 200 lekë. Abuzimi është në vlerën 557 550 USD. Prokuroria ka arritur të dokumentojë në atë kohë një sërë shkeljesh mjaft të rënda të kryera gjatë dy viteve dhe ku dëmi financiar është shumë i madh, ai shkon në disa milionë euro.
Për shembull, në vitin 2001 kemi 7 tenderë, nga të cilët 4 me prokurim të drejtpërdrejtë dhe 3 me procedura. Fondi i lejuar ka qenë 12. 647. 810. 000 lekë për blerjen e energjisë në sasinë 1. 985. 000 MWh, ndërsa sasia faktike e kontratuar është 1. 895. 000 ose 90 000 më pak se në vendimet e Këshillit të Ministrave. Është e pamundur të përmendësh faktet e rënda të gjetura, por në vija të trasha mund të thuhet se nga të dhënat, konstatohet se të gjitha kontratat e vitit 2001 janë nënshkruar pa përcaktuar si kusht kontraktual sigurimin e kontratës në masën 10%, kriter ky i parashikuar dhe i detyrueshëm nga Ligji nr. 7971 datë 26.07.1995, për “Prokurim Publik” dhe pika 6 e VKM nr. 335 datë 23.06.2000 për “Rregullat e prokurimit Publik”. Kontratat janë nënshkruar po nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i KESH.
Nga kontrolli i të gjithë dokumentacionit që ndodhet në dosjen hetimore konstatohen shkelje të rënda duke sjellë për pasojë një dëm financiar për periudhën tetor-dhjetor 2000 dhe vitin 2001 në shumën rreth 4 milionë USD. Vlen të theksohet se për vitin 2001 nga tri subjekte të kontaktuara, vetëm N. E. C, Bullgari është subjekt prodhues i energjisë elektrike, ndërsa E. F. T. Londër dhe “Montmontacana”, Kroaci janë subjekte komisionare, dhe çmimet e shitjes në USD i kanë pasur më të larta se prodhueset.