E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet për KLD-në, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese hapi dje shqyrtimin gjyqësor mbi kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtareve, të cilët kërkuan pezullimin e ligjit mbi funksionimin e Konferencës Gjyqësore. Në momentin kur pas pak muajsh pritet të zgjidhen dy anëtarë të rinj të KLD-së nga Konferenca Gjyqësore, Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar që ky ligj të mos veprojë pasi i ka gjetur të papërgatitur. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën e shoqatës. Gjykata Kushtetuese u shpreh se për kërkesën e SHKGJ-së për pezullim të ligjit, dhe njëzëri vendosi "rrëzimin e kësaj kërkese", me argumentin se ajo nuk prek interesa të rëndësishëm shtetërorë. Shoqata e Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e këtij ligji, pasi sipas tyre, ai nuk përjashton një pjesë të madhe të gjyqtarëve nga e drejta për t’u zgjedhur anëtarë të KLD-së. Përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Klodian Rado, u shpreh përpara gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese se ligji i miratuar në maj të vitit 2005, përjashton gjysmën e gjyqtarëve nga konkurrimi. Ligji "Për organizimin e Konferencës Gjyqësore" përcakton se në Konferencën Gjyqësore, ku zgjidhen 2 anëtarë për në KLD për çdo mbledhje, do të paraqiten një përfaqësi gjyqtarësh nga çdo gjykatë në vend. Sipas Rados, nga 260 gjyqtarë në shkallë vendi të dekretuar nga Presidenti, në konferencë mblidhen vetëm 132 gjyqtarë, sipas përcaktimit që ka përcaktuar ligji. Avokati Rado e cilësoi këtë përfaqësim që kërkon ligji si antiligjor dhe jo demokratik . Shoqata e Gjyqtarëve bëri dy kërkesa. Në fillim ata kërkuan shfuqizimin e ligjit dhe në kërkesën e dytë, pezullimin e tij deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por që kjo kërkesë e dytë u rrëzua nga Gjykata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›