G99: Kandidimi për anëtarësim në BE, detyrë imediate e qeverisë
Aktivisti i G99, Arbjan Mazniku, e ka cilësuar kandidimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian si një detyrë imediate të qeverisë. Sipas Maznikut, aplikimi i Malit të Zi për statusin e kandidatit këtë javë, shënjon nisjen e një treni drejt Bashkimit Evropian dhe Shqipëria rrezikon të mos jetë në këtë tren. "Qeveria shqiptare duhet të ndalojë së thëni vetes që dëshiron t‘i bashkohet BE-së, por të bëjë hapin më të parë, më bazik dhe logjik: të lajmërojë synimin e saj tek evropianët dhe institucionet e BE-së duke aplikuar", ishte qëndrimi i djeshëm i lëvizjes G 99. Sipas Maznikut, klasa politike shqiptare duhet t‘i kërkojë njëzëri qeverisë shqiptare që të aplikojë për të marrë statusin e kandidatit brenda janarit të vitit që po vjen. Lëvizja G99 i kërkon Kryeministrit Berisha, që të mos mendojë për interesat e tij, por të mendojë për vendin dhe të çojë aplikimin e shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Bruksel brenda janarit 2009. "Vetëm në këtë mënyrë aplikimi ynë mund të konsiderohet në takimin e Këshillit Evropian në Mars", theksoi Mazniku. "E ndërkohë, qeveria shqiptare dhe e gjithë administrata duhet të fillojë të përgatitet për procesin e plotësimit të pyetësorit në vend që të angazhohet në një fushatë politike", shtoi ai. Aktivisti i G 99 sqaroi se "aplikimi për në Bashkimin Evropian kërkon punë, standarde e reforma të vërteta, jo spote e mitingje elektorale".