E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kodi Zgjedhor? Berisha po përçan të majtën

Dy ditë pas ringritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka komentuar nga Shkodra përplasjen e parë PD-PS në çështje teknike. Sipas Metës, është një lëvizje e PD për t‘u treguar ndërkombëtarëve se nuk është ajo që nuk realizoi standardet, por PS-ja dhe nga ana tjetër në këtë mënyrë PD po përçan e dobëson akoma më shumë forcat opozitare. Duke folur për mediat, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur "Mosdekretimi nga Presidenti i Republikës, në thelb kishte idenë e përmirësimit të standardeve. Duke shfrytëzuar këtë rast duhet të përmirësohen standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Çdo ditë nga ndërkombëtarët dhe Brukseli ka reagime në lidhje me Kodin Zgjedhor, të cilët kanë pasur rezerva për reformën. Ky është moment i rëndësishëm për Ramën që të heqë dorë nga kokëfortësia absurde, e cila i jep përgjegjësinë atij për zgjedhjet nesër e për më tepër PS ka qenë gjithnjë në mbrojtje të zgjedhjeve të rregullta, ndaj e ftoj lidershipin e PS-së të reflektojë. Ndërsa lideri i PD-së, Sali Berisha, ka një pozicionim komod që me qëndrimet e tij prej demagogu lë të kuptohet se problemi i standardeve të reformës zgjedhore gjoja është një problem mes forcave opozitare". Meta tha gjithashtu se është pozitive ringritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. "Por shikoj një lëvizje taktike të PD-së në dy aspekte", tha kreu i LSI-së, duke sqaruar se "PD me këtë do të na tregojë neve dhe ndërkombëtarëve se nuk është ajo që nuk po realizon standardet, por PS që nuk kërkon të ketë standarde dhe e dyta, PD po forcon përçarjen mes forcave opozitare se ky është qëllimi i një force politike, të dobësojë kundërshtarët". Gjatë konferencës për shtyp, Meta iu përgjigj edhe pyetjeve për mundësinë e bashkëpunimit me PS-në dhe tha se nuk përjashton formimin e ndonjë koalicioni pas zgjedhjeve, por përjashtoi kategorikisht ndonjë aleancë parazgjedhore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›