E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Ndërkombëtarët kërkojnë dialog për Kodin Zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe rritjen e përfaqësimit të partive politike në Komisionet e Administrimit Zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha dje se ndërkombëtarët po inkurajojnë dialog të të gjitha partive për standardet e zgjedhjeve. Sipas tij, në rast se ndodh ndryshe, "Kryeministri Berisha do mbajë përgjegjësi për standardet e parealizuara për këto zgjedhjeve, kurse kryetari Rama një përgjegjësi tjetër, ende më të rëndë, atë të vetëvrasjes të së majtës".

Ftesa e LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim i bën sërish thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të pranojë ftesën e Ilir Metës për t‘u ulur dhe biseduar për Kodin Elektoral.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se koha e mbetur deri në miratimin e Kodit Zgjedhor duhet shfrytëzuar për të bërë ndryshimet e nevojshme që mbështeten edhe nga faktori ndërkombëtar. Nga ana tjetër, socialistët janë të vendosur se ky Kod Zgjedhor është i hartuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sipas kampit rozë, në Komisionin e Reformës Zgjedhore do të korrigjohen vetëm nenet që janë në përputhje me arsyetimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Anëtari në komisionet e numërimit të votave u bë shkak i grevës së urisë së deputetëve të LSI, PDK dhe PS 91.

Qëndrimi

"Vendimi i Konferencës së Kryetarëve, për të proceduar në rikrijimin e komisionit të posaçëm për Kodin Zgjedhor gjykohet nga ana e LSI, si një rast tjetër i mirë për të çuar deri në fund një debat, atë për Kodin Zgjedhor, i cili në shumë aspekte ka qenë një debat i shurdhët dhe përjashtues", tha numri një i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se ky është çasti i përshtatshëm për të bërë rregullimet e fundit të Kodit, në përputhje me frymën dhe standardet evropiane. "LSI deklaron që koha shumë e pakët, që kemi në dispozicion, duhet të shfrytëzohet për të përmirësuar të paktën hallkën e fundit të procesit elektoral, që është ajo e administrimit të votës", sqaroi Xhufi. Numri një i grupit të LSI-së shton se në rast se Kodi nuk rregullohet sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët, atëherë do të jenë Berisha dhe Rama që do të mbajnë përgjegjësi për zgjedhje të dështuara. "Në këtë kontekst, ne dëshirojmë t‘i kujtojmë mazhorancës dhe posaçërisht zoti Sali Berisha, përgjegjësinë e rëndë, që qeveria e tij mban, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të vitit 2009. Të premten, Konferenca e Kryetarëve vendosi ringritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore ku do të shqyrtohet dekreti presidencial për Kodin Zgjedhor, gjë që u konfirmua nga të dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›