E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, 26-vjeçarja zihet me të atin, e qëllon me thikë në qafë



Një vajzë 26-vjeçare u arrestua nga policia në fshatin Tunjë në Gramsh, pasi plagosi me thikë në qafë të atin e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Sipas burimeve nga policia, e reja Selvije Sallja, që ka kryer këtë veprim, është një person me çrregullime mendore. Uniformat blu e kanë shoqëruar në komisariat autoren e plagosjes. Ndërkohë që ndaj të atit të saj është dhënë ndihma e parë dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga policia, i ati i vajzës ishte duke fjetur në dhomën tjetër në banesën e tyre në fshat. Ndërsa ka qenë qetësi, ai ka ndjerë një zhurmë brenda në dhomë që e ka zgjuar atë. Në përgjumje e sipër ka parë vajzën e tij 26-vjeçare që mbante në dorë një thikë. Ajo e ka qëlluar atë në drejtim të kokës, por i ati, Dylberi, ka reaguar menjëherë, duke iu shmangur paksa goditjes së saj. Megjithatë, ai nuk ka mundur t’i shpëtojë plotësisht tehut të thikës, e cila e ka prekur atë në fyt, duke i shkaktuar aty prerje. Gjendja e krijuar ka bërë që të zgjohen edhe familjarët e tjerë në banesë. Ata kanë qetësuar vajzën, ndërkohë që i kanë dhënë ndihmën e parë të atit të saj të plagosur. Si pasojë e goditjes së marrë, ai po humbte shumë gjak dhe u desh menjëherë dërgimi i tij në spitalin e qytetit. Ndërhyrja e mjekëve bëri që ai të kalojë gjendjen e vështirë. Menjëherë policia e qytetit ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje.

Uniformat blu kanë shoqëruar në komisariatin e policisë 26-vjeçaren Selvije Sallja, e cila ka shfaqur probleme mendore. Sipas burimeve nga policia, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë një konflikt në familje, midis saj dhe të atit. Pasi ka dalë nga gjendja e vështirë, i plagosuri u shpreh për agjentët se “e bija kishte tentuar ta godiste në kokë, por e ka ndjerë zhurmën dhe është larguar”.

Sipas familjarëve, 26-vjeçarja nuk ka pasur probleme në familje, por sëmundja mendore mund të jetë një nga shkaqet që e ka shtyrë të renë të godasë me thikë në gjumë të atin. Policia ka marrë në pyetje anëtarët e familjes ku ka ndodhur ngjarja dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë që e reja është shoqëruar në komisariat, në pritje të një vendimi të dhënë nga ana e gjykatës së rrethit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›