Kapet banda adoleshente e vjedhjeve
KORÇE - Policia e Korçës, pas një punë disa mujore hetimore, arrestoi 6 adoleshentë, të cilët ishin pjesë e një grupi të vjedhjeve të shkollave. Ata thyenin xhamat apo dyert e tyre duke synuar kabinetet e elektronikës. Dhjetëra kompjuterë u vodhën në harkun kohor të pesë muajve, ndërsa policisë i janë dashur 5 muaj hetim për të identifikuar dhe arrestuar grupin e adoleshentëve. Policia bëri të ditur se është dokumentuar vjedhja e tre shkollave dhe një banese nga ana e tyre, ndërkohë që po hetohen edhe disa raste të tjera, mekanizimi i të cilave është i njëjtë me atë të këtyre shkollave. Sipas policisë, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim janë arrestuar M.P., 16 vjeç, Th.N., A.Ç., J.J., dhe N.T., nga 15 vjeç si dhe C.N, 14 vjeç. I përfshirë në këtë rrjet është edhe 17–vjeçari T. K., i cili është larguar në drejtim të paditur. Ndërsa E.K., që është vetëm 13 vjeç, po ndiqet në gjendje të lirë. Këta adoleshentë janë banorë të lagjeve 12, 17 dhe 18 të Korçës dhe sipas hetimeve të para, grupimi i tyre ka qenë i rastësishëm. Secili pas vjedhjes kryente detyra konkrete për shitjen e kompjuterëve. Ata ishin bërë tmerr i shkollave. Objekt i vjedhjeve ishin laboratorët e informatikës, vulat e shkollave dhe sende me vlerë të banesave. Vjedhjen e parë e kanë kryer më 15 korrik të këtij viti në shkollën 9–vjeçare “Mësonjtorja e Parë Shqipe”, ku kanë përvetësuar dhjetë kompjuterë. Vjedhjen e dytë, më 19 shtator te “Stavri Themeli”, ku kanë vjedhur vulën e kësaj shkolle. Për herë të tretë hynë në shkollën 9–vjeçare “Sotir Gurra” ku vodhën 12 kompjuterë. Ata kanë vjedhur edhe një banesë, ku përsëri objekt vjedhjeje ka qenë një kompjuter dhe një sasi bizhuterish. Në disa nga vjedhjet, ata kanë qenë të pajisur edhe me sharra elektrike e leva hekuri. Atyre iu është dashur që të hapnin dyert prej hekuri, siç ishte rasti në shkollën 9–vjeçare “Sotir Gurra”. j.gj