Tadiç: Do të ndryshojmë marrëveshjen e Kumanovës
Serbia ka forcuar gjuhën në nismën e saj diplomatike kundër shtetit të Kosovës, duke pretenduar modifikime të një marrëveshjeje ndërkombëtare që ka vendosur UNMIK-un në Kosovë dhe është pasuar me Rezolutën 1244 të OKB-së. Presidenti i Serbisë ka kërkuar ndryshimin e marrëveshjes së Kumanovës, një dokument shumë i rëndësishëm që i dha fund bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe në vitin 1999, kundër spastrimit etnik shqiptar në ish-provincën serbe të Kosovës. Tashmë Serbia kërkon modifikim e marrëveshjes, e cila nuk i lejon forcat dhe armët serbe të prekin hapësirën tokësore dhe atë ajrore të Kosovës. Mes të tjerash, marrëveshja e Kumanovës kërkonte që Serbia të tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga territori i Kosovës; ushtrinë, shërbimet sekrete, forcat ajrore, gardat nacionale, policinë kufitare, policinë e antiterrorizmit, federalët dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në marrëveshje thuhej se forcat serbe nuk duhet t’i bëjnë keq dhe të provokojnë asnjë person në Kosovë. Avionët, radarët, raketat, predhat, nuk duhet të jenë në territorin e Kosovës dhe as në zonën e sigurisë prej 25 km. KFOR do të kontrollojë dhe koordinojë përdorimin e hapësirës ajrore mbi Kosovë dhe zonën neutrale. Marrëveshja thekson se shkelja e pikave të nënshkruara dhe hyrja e avionëve serbë mbi territorin e Kosovës do të marrë përgjigjen e forcave ndërkombëtare, nëse është nevoja edhe përdorimin e forcës. Nuk është e qartë se cila nga pikat e marrëveshjes në kushtet e sotme nuk i duket e përshtatshme lidershipit serb. Ata këmbëngulin se Kosova nuk duhet të marrë pjesë në diskutimin, i cili do të zhvillohet mes tyre dhe NATO-s. Shefi i ushtrisë serbe, gjeneral lejtant Zdravko Ponosh tha se ai i kishte zhvilluar bisedimet e para me këtë çështje me komandantin e forcave të NATO-s, Mark Fitzgerald, ndërsa Boris Tadiç tha se ai e mbështeti iniciativën. Sipas analistëve të ushtrisë serbe, shkruan B92, ka ardhur koha e ndryshimit të këtij dokumenti, “sepse Serbia dhe NATO nuk janë më në luftë”. “Tani që Serbia ka treguar se është një faktor stabiliteti në rajon, nuk ka asnjë arsye për të mbajtur marrëveshjen në të njëjtat kushte, që ende përfshijnë një zonë të palejuar fluturimi”, tha Tadiç në një intervistë për gazetën Politika, në një shkrim që publikohet sot. “Serbia nuk është faktor destabilizimi, ushtarët e saj nuk kanë qëlluar as një person të vetëm, edhe pse të tjerët kanë hapur zjarr kundrejt tyre”, citohet presidenti serb. Ndërsa gjenerali Ponosh tha për B92 se ka disa arsye të forta që marrëveshja të korrigjohet, duke përmendur deklaratën e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, mbështetjen e OKB për rikonfigurimin e UNMIK-ut, dhe formimin e forcave të sigurisë së Kosovës, diçka që Beogradi e kundërshton.
“Shpresoj që në këto dy javë mund të diskutojmë modalitetet e ndryshimit të marrëveshjes me përfaqësuesit e NATO-s”, tha ai. “Nuk dua të paragjykoj se ku do të çojnë këto bisedime por është e rëndësishme që ne të dalim në një përfundim, se pozicioni aktual dhe marrëveshja nuk janë të praktikueshme”, shtoi Ponosh. Sipas analistëve serbë, duhet të pretendohet heqja e zonës së sigurisë në kufirin me Kosovën.