Policia zbulon në ballkon çantën me drogë
VLORE – Zbulohen rastësisht 170 kg bimë narkotike kanabis sativa. Në patrullim e sipër forcat e policisë të grupit të gatshëm kanë konstatuar se në një ballkon të katit të katërt të një pallati të sapondërtuar, pranë rrugës “Transballkanike”, rrezikonte të binte një objekt i lidhur me litar. Në këto kushte punonjësit e policisë kanë marrë masa për të njoftuar pronarin e banesës se diçka rrezikonte të binte nga ballkoni i hyrjes, por në shtëpi nuk ka gjetur asnjë person. Një çantë e madhe është zbuluar në ballkon, e cila mund të rrezikonte kalimtarët në rrugë. Për këtë arsye, forcat e policisë janë detyruar të hyjnë në banesë për të eliminuar gjithçka. Por, ata kanë vënë re se çanta e lidhur në litar ishte e mbushur me lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa. Kontrolli nëpër shtëpi ka zbuluar dhe disa çanta të tjera, të cilat mbanin gjithsej rreth 170 kg bimë narkotike. E gjithë sasia është bllokuar nga policia në cilësinë e provës materiale. Për ngjarjen u mor në pyetje pronari i banesës, i cili ka pohuar se në këtë shtëpi jetonte me qira një çift nga Ballshi. Më pas policia ka kryer shoqërimin e dy personave në komisariat, si të dyshuar të mundshëm dhe pas marrjes në pyetje pritet që të zbardhet nëse ata janë të implikuar. q.b