E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupit të gatshëm i grabiten nga makina dy kallashnikovët

 

BULQIZE/ Hasan Pasha

Grupit të gatshëm të policisë së Bulqizës i grabiten armët. Ngjarja ndodhi dy net më parë, rreth mesnatës, kur dy kallashnikovë iu rrëmbyen policëve nga persona të panjohur. Ajo u mbajt sekret nga autoritetet e policisë vendore dhe asaj rajonale. Por, burime të sigurta informacioni sqarojnë për gazetën “Panorama” se dy efektivat e policisë janë kthyer në godinën e komisariatit pa armët që kishin marrë në magazinën e armatimit. Këtë fakt e pranojnë dhe zyrtarë të lartë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Qarkut Dibër, por nuk japin detaje rreth mënyrës së çarmatosjes së punonjësve të grupit të gatshëm B.Koleci e A.Tafçiu. Burime të besueshme bëjnë të ditur se dy punonjësit e policisë dhe shoferi i fugonit kanë dalë si çdo ditë në patrullimin e qytetit, për të mbajtur nën vëzhgim kontingjentet e policisë, sidomos disa të rinj problematikë në vjedhjen e dyqaneve në qytetin e vjetër të Bulqizës. Pasi janë pajisur me armatimin e nevojshëm, kallashnikov, ata kanë lëvizur në dy lagjet e qytetit deri rreth orës 22:30. Më pas kanë lënë mjetin diku afër një lokali dhe janë futur brenda për të ndjekur një ndeshje futbolli. Kurrsesi nuk kanë menduar se atyre mund të grabiteshin armë në mjetin e policisë. Mirëpo kur ndeshja ka përfunduar Tafçiu, Koleci dhe shoferi i mjetit të policisë janë rikthyer në makinë janë shtangur sesi aty nuk ndodheshin dy armët që posedonin. Deri në mëngjes, kur kanë dorëzuar turnin e punës nuk kanë bërë zë, ndërkohë në momentin kur magazinieri i armatimit ka kërkuar armët që ata kishin marrë, ata kanë bërë të ditur ngjarjen e ndodhur. Është informuar fillimisht shefi i rendit, i cili pasi ka mbledhur të dhënat e para rreth ngjarjes ka informuar me hollësi shefin e komisariatit, Mirash Loci, rreth humbjes së dy armëve të zjarrit, “pronë” e policisë Bulqizë. Numri një i policisë së këtij rrethi ka informuar Drejtorinë Rajonale të Policisë Dibër. Fillimisht SHKB ka hetuar rreth grabitjes së bujshme, madje u tha se dy efektivat e policisë që nuk mbrojtën dot as armët e tyre janë pezulluar nga puna. Ndërkohë dje policia konfirmoi zyrtarisht se dy armët e vjedhura në mjetin e policisë janë gjetur dhe se dy punonjësit e policisë janë në krye të detyrës. Por, nga ana e saj nuk u bë e ditur se ku janë dy armët e vjedhura dhe nëse ka të ndaluar për këtë çështje. Dhe pse ngjarja nuk u komunikua nga policia, mësohet se efektivët e saj në të gjithë qarkun janë porositur të bëjnë kujdes për mbrojtjen e armatimit dhe mjeteve të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›