Merr fund makthi në Indi, 195 viktima
Pas 60 orësh luftime të ashpra mes forcave speciale indiane dhe skuadrave antiterrorizëm kundër disa personave, që shkaktuan një sërë shpërthimesh të koordinuara në kryeqytetin indian, më në fund Bombei i rikthehet qetësisë. Bilanci i viktimave ishte 195, ndërsa të gjithë turistët e mbetur në këtë vend janë larguar gjatë ditës së djeshme pas panikut të tri ditëve me radhë dhe dëshmisë së pengmarrjeve. Policia indiane ka arritur të arrestojë vetëm një militant, i cili është pakistanez. Qeveria pakistaneze i ka ofruar bashkëpunim pa kushte Indisë ndërsa India ende po heton. Presidenti i Pakistanit Asif Ali Zardari, paralajmëroi kundër çdo reagimi të tepruar. Ai tha se qeveria e tij do të veprojë me shpejtësi nëse ka fakte se individë apo grupe pakistaneze janë përfshirë në sulme. Por Ministri i Jashtëm, Shah Mehmood Qureshi, tha se India nuk kishte ofruar fakte të tilla. Politikanët indianë thonë se personi i vetëm që ka mbijetuar dhe që është nën arrest, është nga Pakistani. Në hotelet me pesë yje në Indi, që ishin bërë objektiv i sulmit, dita ka aguar me zjarr dhe tym. Dje ka nisur identifikimi i viktimave. Qindra njerëz kanë marrë pjesë në funeralin e shefit të luftës kundër terrorizmit, Hemant Karkare. Media indiane ka raportuar se një nga militantët kishte punuar në hotelin “Taj Mahal” si kuzhinier për 10 muaj. Ngjarja është përshkruar si 11 shtatori i Indisë. Objektivi i terroristëve ishte vrasja e 5 mijë personave.