Vëllai i Dritan Dajtit, në pranga për grabitje makinash
VLORE - Prangoset për grabitje makinash vëllai i të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Një operacion i policisë së Vlorës, në bashkëpunim me atë të Tiranës ka sjellë arrestimin e Sokol Dajtit mëngjesin e djeshëm. Emri i tij doli si bashkëpunëtor i 4 të arrestuarve në Vlorë, të cilët akuzohen për vjedhjen e makinave. Sipas burimeve zyrtare të policisë, që nga fillimi i vitit janë grabitur në qytetin e Vlorës 7 makina, kryesisht "Benz" të prodhimeve të ndryshme. Denoncimet e kryera nga pronarët e mjeteve bënë që policia të nisë hetimin mbi personat që dyshoheshin si autorë. Mbrëmjen e së premtes, në qytetin e Vlorës u arrestuan 4 persona: Haki Mustafaj, 18 vjeç, Ardi Rrapaj, 17 vjeç, Alfred Bole, 20 vjeç dhe Endit Limaj. Pas marrjes në pyetje të tyre i është kërkuar ndihmë policisë së Tiranës për të kontrolluar në banesën e Sokol Dajtit, i cili rezulton të jetë vëllai i të arratisurit nga Gjykata e Tiranës, Dritan Dajti. Sipas policisë, në garazhin e tij u gjet një makinë "Benz" 2400, e cila ishte denoncuar e vjedhur në Vlorë më 26 nëntor. Policia e Vlorës bëri të ditur se mjetet ishin grabitur në qytetin bregdetar që nga fillimi i vitit. Të rinjtë pritet të hetohen dhe për raste të tjera të zhdukjeve të makinave në Vlorë. q.b