Diagnozat,QSUT: Gabimet bëhen nga mjekët e rretheve
TIRANË- Vendosja gabim e diagnozave ndaj pacientit vijon të mbetet ende një fenomen në mjekësinë shqiptare. Nuk janë të pakta rastet e atyre pacientëve që janë kuruar me vite të tëra për një sëmundje që nuk e kanë pasur. Sipas shefit të shërbimit në pavijonin e nefrologjisë në QSUT, Nestor Tereska, nga mjekët e rretheve apo nga ata të parësorit vijnë pacientë, të cilëve nuk u është vendosur diagnoza e saktë për sëmundjet. Vite më parë sipas tij, shumica e diagnozave vendoseshin vetëm nga specialistët e QSUT-së, pasi ka pasur mungesë specialistësh e aparaturash nëpër poliklinika dhe në spitalet e rretheve. Tereska shton se ky fenomen, edhe pse është zbehur, nuk duhet të ekzistojë fare. "Mjekët e rretheve shpeshherë nxitohen në dërgimin e të sëmurit menjëherë në spitalin qendror të Tiranës, sepse sot një pjesë e madhe e tyre kanë në dorë ekzaminimet radiologjike, kanë skanera. Duhet të jenë mjekët më të vëmendshëm", - tha Tereska.
Tereska thekson se duhet të respektohen protokollet e sëmundjeve, pasi në çdo spital tashmë janë dërguar udhëzuesit klinikë, të cilët ndihmojnë në vendosjen e diagnozës për çdo sëmundje më lehtë se më parë. "Nëpër të gjitha rrethet kemi shpërndarë protokollet e diagnozave, udhërrëfyesit e mjekimit dhe shumica e tyre e kanë në dorë. Që nga mjeku i familjes, duhet të jetë pak më i kujdesshëm. Ai është filtri i parë. Mjeku pediatër, mjeku i familjes, janë ata filtrat e parë që mund të ndihmojnë edhe në bashkëpunim me specialistin për vendosjen e një diagnoze të saktë", - thotë Tereska. Ai e konsideron të gabuar edhe marrjen e shërbimit të hemodializës të pacientëve të rretheve vetëm në QSUT. Sipas tij, në disa rrethe është vendosur shërbimi i dializës. Ndaj këshillon mjekët e rretheve t`i trajtojnë pacientët në spitalet më të afërta.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)