Dializa dhe transplantet, rrezikohen vendet e varfra
Kostot globale do të tejkalojnë shifrën 1 milion dollarëve brenda dhjetë viteve të ardhshme, për trajtimin e dëmtimeve në pacientët me sëmundje të veshkave. Do të jenë ekonomitë e vendeve në zhvillim, si Shqipëria që do të vuajnë pasojat më të rënda, pasi nuk do të kenë mundësi të përballojnë kostot e trajtimit të dializës dhe transplantit. "Nëse nuk trajtohen në kohë sëmundjet kronike të veshkave problemet që lindin janë të përmasave tepër të rënda", - thekson shefi i Klinikës së Nefrologjisë, Nestor Thereska. Sipas tij, nëse këta pacientë, të cilët preken edhe nga sëmundje të tjera si anemia apo diabeti nuk trajtohen më herët me medikamentet e duhura, kostot e shtrimeve në spital rriten ndjeshëm. Shoqata Shqiptare e Nefrologjisë thekson se në vendin tonë numri i pacientëve të rinj, që shfaqen është 450 raste në vit, ndërsa ata që kërkojnë trajtimin me Mircera janë 50 pacientë në vit. Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka si synim të saj uljen e vdekjeve në sëmundjet kronike të veshkave në 2 për qind në vit për dhjetë vitet e ardhshme.