Sejdiu: Nuk jam ftuar në ceremoninë presidenciale
Përkundër pohimeve në media, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është i vetmi nga liderët e rajonit që nuk ka marrë një ftesë për inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, George Ivanov. Megjithëse Maqedonia e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, ajo po dërgon një tjetër sinjal se nuk ka ndër mend të hedhë hapin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Në mediat e rajonit ka pasur raportime kontradiktore mbi dërgimin e ftesës në Prishtinë për inaugurimin e liderit të ri të vendit fqinj, më 12 maj. Por dje vetë presidenti Fatmir Sejdiu konfirmoi se nuk është ftuar në inaugurimin e presidentit maqedonas, George Ivanov. Megjithëse ky veprim është kritikuar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova do të vazhdojë rrugën e njëjtë të bashkëpunimit me këtë shtet fqinj. Sejdiu i bëri komentet pas kthimit nga Turqia, ku kreu një vizite disaditore. Zyrtarisht, arsyet e mos-dërgimit të ftesës janë të panjohura, por mediat e Kosovës vlerësojnë se arsyeja kryesore është prania e Presidentit serb, Boris Tadiç në ceremoni. Të gjithë kryetarët e vendeve të tjera në rajon kanë qenë të ftuar në përurim, përfshirë Presidentin kroat, Stipe Mesiç, Presidenti shqiptar, Bamir Topi dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Presidentët e Greqisë dhe Bullgarisë nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në përurimin e Ivanovit, edhe pse kanë qenë të ftuar zyrtarisht.
Maqedonia ka vendosur të mbajë një qëndrim neutral për sa i përket gjykimit mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Hagë, edhe pse zyrtarisht ajo e ka njohur pavarësinë e Kosovës pak ditë pasi nisi procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vendimi erdhi pasi presidenti serb, Boris Tadiç ftoi sërish ambasadorët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, që të rikthehen në përfaqësitë e tyre në Beograd, disa muaj pasi i dëboi ata, që pas vendimit të këtyre vendeve për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga partia e kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE, nuk duan të komentojnë as rikthimin e ambasadorit në Beograd dhe as vonesën në vendosjen e raporteve diplomatike me Kosovën, por jozyrtarisht pohojnë se janë të interesuar që Maqedonia të ketë raporte të mira me të gjithë fqinjët.