Vlerësimi i INSIG-ut, tenderi më 11 qershor
Privatizimi i kompanisë shtetërore “INSIG” rrezikon të dështojë si efekt i mosrealizimit në kohë të tenderit për vlerësimin e aseteve. Ministria e Financave, si institucioni përgjegjës për procesin e privatizimit të 61 për qind të aksioneve, por edhe pronare e kësaj pakete, ka pranuar parimisht problemin për gjetjen e kompanisë ndërkombëtare, e cila do të vlerësojë asetet e shoqërisë të sigurimeve, për të pasur një vlerë të saktë për shitjen e aksioneve. Burime zyrtare të ministrisë janë shprehur se, “tenderi ka dështuar për mungesë konkurrence, si rrjedhojë e numrit të pakët të kompanive që duhet të merrnin pjesë në proces, duke sjellë shtyrjen e tij për në datën 11 qershor 2008”. Vlerësimi i aseteve të “INSIG”-ut, i domosdoshëm për procesin e privatizimit të pjesës shtetërore, do të përfshijë dhe filialet e kompanisë jashtë territorit të vendit, si në Kosovë dhe Maqedoni. Ministria e Financave ka vendosur si qëllim kryesor privatizimin e shoqërisë të sigurimeve brenda dhjetorit të këtij viti, pas shtyrjes dy-tre vjeçare të këtij procesi. Duke qenë se dështimi për vlerësimin e aseteve të “INSIG”-ut ka sjellë një mungesë të plotë informacioni se sa kushton realisht kompania, financat kanë shkurtuar afatet e shërbimit që do të ofrojë kompania e huaj audituese, për një çmim prej rreth 120 mijë eurosh.
Bashkëpunimi ekonomik me Austrinë, Bode firmos dy marrëveshje
Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Klaus Derkowitsch, nënshkruan dje dy marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë e Republikës së Austrisë. Marrëveshjet lidhen me bashkëpunimin për procesin e përafrimit të Shqipërisë në BE dhe me bashkëpunimin ekonomik dhe financiar me Ministrinë Federale të Financave të Austrisë. Në bazë të marrëveshjes, Shqipërisë i jepet një kredi me terma të buta deri në 25 milionë euro për një periudhë 2-vjeçare që nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Ministri Bode, tha se “marrëveshjet hapin rrugën e zgjerimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes qeverisë së Austrisë dhe qeverisë shqiptare”. Ndihma e kredisë do të negociohet për fushat se ku do të aplikohet ajo. Këto marrëveshje vijnë pas një bashkëpunimi shumë të mirë mes dy vendeve dhe pas një prezence të gjerë austriake në Shqipëri. Sipas ambasadorit Austriak në Shqipëri, Klaus Derkowitsch, “Austria synon që të rrisë prezencën e mëtejshme të biznesit të saj në Shqipëri dhe bilancin tregtar mes dy vendeve”. Deri tani, shteti austriak ka financuar 50 projekte në Shqipëri me vlerë 28 milionë euro, kryesisht në fushën e ujësjellësve dhe turizmit.
4 Qershor 2008