E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mistifikimi i ish të përndjekurve politikë

Pushoni së mbyturi të vdekurit, mos bërtisni, mos bërtisni më! (G. Ungareti)

Islam Spahiu*

Të them të drejtën, së pari më tërhoqi vëmendjen emri i autorit të artikullit me titull “Gazeta 55, zëdhënëse e aspiratave të ish të përndjekurve politikë” me nëntitullin: “Ish të përndjekurit politikë në mënyrë natyrore s’mund të jenë aleatë të PS-së”. Me autorin e shkrimit në fjalë zotin Kostaq Xoxe, kemi qenë bashkëpunëtorë në gazetën “Liria” (organ i Shoqatës së të ish-Përndjekurve Politikë të Shqipërisë). Duke u ndjerë i provokuar nga kjo tendencë prej militanti të shfaqur në këtë artikull, nuk po më rrihet pa bërë reagimin përkatës. Shpresoj që ish-kolegu im do të më kuptojë drejt.
Sipas mendimit tim, formulimi i titullit dhe nëntitullit është një mistifikim që i bëhet ish të përndjekurve politikë, e kjo për arsyet që po i rendis më poshtë:
Pikësëpari duhet ditur se termi “të përndjekur politikë” nuk përcakton një kategori unike, por është një term përfshirës. Të përndjekurit politikë nuk kanë qenë vetëm të djathtët, d.m.th nacionalistët, siç do të dëshironte dikush, por në mes tyre ka pasur nga të gjitha kategoritë shoqërore dhe ideore. Nuk duhet të harrojmë se sistemi i kaluar nuk ka qenë thjesht diktatorial, por ka qenë ekstrem, totalitar. E si i tillë, ai nuk ka kursyer asnjë kategori shoqërore. Nga kjo kuptohet lehtë se në burgjet politike të atij regjimi ka pasur idealistë të ndryshëm; nacionalistë, ballistë, legalistë, komunistë, fashistë, katolikë, myslimanë, ortodoksë etj... (për të mos përmendur këtu ordinerët e të gjitha kallëpeve). Ai që ka vuajtur burgjet e atëhershme e di fare mirë këtë. Ne vërtet ishim bashkëvuajtës, por na ndanin idetë. Sa herë kemi bërë debate të karakterit ideologjik, madje me ashpërsi. Por më në fund vendoste toleranca reciproke, ajo “demokraci” që nuk na e lejuan në jetën normale. E ne, me ndërgjegje të lartë e vendosim atë atje. E atje janë njohur figura madhore të të dy krahëve. Xhelal Koprëncka për shembull, ishte një idealist nacionalist dhe për atë ideal e sfidoi vdekjen para gjithë masës së të dënuarve, në mënyrë spektakolare, në kampin e Spaçit. Veç do të ishte e padrejtë që, duke kujtuar këtë hero të lëmë në harresë dy të tjerë si ai por me bindje të kundërta, komunistët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të cilët sfiduan stalinizmin enverian duke pranuar në këmbim sakrificën e jetës. Duhet t’u shtojmë këtyre burrave edhe Skënder Sokolin, i cili për të njëjtën arsye u masakrua në Qafë të Barit. Ka edhe shembuj të tjerë por nuk duhet t’i ngatërrojmë me luftën klanore të “Bllokut” të përgjakur. Ata nuk i përkasin argumentit të çështjes që kemi shtruar. Duke u kthyer në temë do të përsëris se do të ishte naivitet dhe mistifikim konsiderimi i të dënuarve politikë të diktaturës komuniste, këtë konglomerat, si një element unik. Pra, nuk mund të ketë këtu “mënyrë natyrore” për aleancë, as me njërin krah dhe as me tjetrin. Semplifikimi i një mase heterogjene, siç është ajo e ish të dënuarve politikë, në një profil të vetëm (unik) është lajthitje. Do të pajtoheshim me një përcaktim më të saktë, p.sh po të veçoheshin ata që qenë dënuar për idetë nacionaliste, (të djathtët), ata po që dihet se nuk mund të jenë aleatë “natyrorë” të PS-së që është e majtë.
Për sa i përket Gazetës “55” që na qenka “zëdhënëse e aspiratave të ish përndjekurve politikë” kjo nuk i qëndron së vërtetës; kjo është gazeta më ekstremiste e PD-së e, për më tepër e udhëheqësit monist të saj, siç ka qenë dikur “Zëri i Popullit” për atë të ndjerin të cilit po i qëndron besnik ky i fundit. Kuptimplotë është fakti që këtë gazetë e drejton një gazetar që i ka shërbyer me fanatizëm të parës. Le të ndalemi të titulli i Gazetës “55”, neni me të cilin u dënuan të përndjekurit e ndërgjegjes për agjitacion dhe propagandë kundër “Pushtetit Popullor”, në fillim kishte numrin 73/1 dhe më vonë uy shndërrua në “55”. Është interesant fakti se një gazetë e deklaruar si “e djathtë” mban pikërisht numrin e këtij sakrilegji të zi. Për të hedhur poshtë “a priori” çdo justifikim bëjmë të ditur se e dimë “alegorinë” që kanë dashur të përdorin trilluesit e këtij titulli. Por ky i përngjan “lapsusit” që sipas Frojdit shpreh padashur të fshehtën e ndërgjegjes. Për analogji le të marri kryqin, simbolin e krishterimit. Ja ç’thotë Niçja për këtë: “...shenja e kryqit, si simbol në një epokë e cila nuk e njeh destinacionin dhe trupin e kryqit, -----çfarë akullsie bie mbi ne përballë gjithë asaj që duket sikur ka dalë nga varri i një së kaluare shumë të largët! A është e mundur vallë të besohet ende në gjëra të Tilla?” Kështu edhe ne, domosdo do të pyesim : “Si është e mundur të pranojmë për emblemë numrin fatal që na varrosi për së gjalli?”
Le të vemi tani te personat që përmend z. Xoxe si bashkëpunëtorë të gazetës në fjalë. Për të mos u zgjatur, ne po përqendrohemi te njëri që është më tipiku, të tjerët nuk kanë shumë rëndësi. Fjala është për “të palodhurin” Luan Myftiu që siç thotë artikull-shkruesi, “ka treguar një energji të jashtëzakonshme me dendurinë e shkrimeve të tij në bashkëpunim me “55”-n”. Si bashkëvuajtës në një kohë dhe në një vend me të, kam të drejtën të them diçka. Në burg atë thuajse nuk e njihte njeri; nuk ka punuar në minierë si shumica dërrmuese e kampit të Spaçit. Nuk kishte as raport mjekësor dhe as moshën për këtë privilegj. Megjithatë ca miq dhe shokë që e njihnin (unë një nga ata) e çmonim si njeri të ndershëm, e donim dhe e respektonim. Pas burgut ai u shqua përmes shkrimeve e sidomos me fabulat e tij të preferuara “a la Fontaine” me kafshë karakteristike. Ky zotëri atëherë pat aderuar te e djathta e mirëfilltë te “Balli Kombëtar” ku ç’është e vërteta militoi me guxim dhe idealizëm. Në fabulat e tij, ai e ka paraqitur PD-në si “dhelpër plakë” e cila nga komuniste na qenka bërë “demokrate” gjë shumë e goditur, mirëpo pastaj nuk e di ç’metamorfozë ka ndodhur me të, ky “i palodhur” siç duket është lodhur aq sa është dorëzuar; shkon aty ku ka pështyrë e shkruan të kundërtën. Kjo gjë të kujton epigramin e Nolit të madh: “Dhe Faiku faqen ndërron/die shante sot lavdëron/fryn bulçitë e trumpeton/se katrani zbardhëllon”...Mjaft për këtë.
Së fundi le t’i referohemi një “Rikuiem”-i që shoqëron artikullin e zotit Kostaq Xoxa. Aty ka fotografinë e moshës së re të Pirro Kuqit, i cili u nda nga ne para pak kohe. Duke e parë këtë ndjeva trishtim dhe indinjatë; jo nga efekti i shkrimit, se ai është shumë i dobët, por nga gjesti i cili më duket cinik. Të gjithë në, miqtë e tij, e dimë mirë se si përfundoi ai; ai vdiq në mjerim të plotë. Për gjendjen e tij PD-ja në pushtet ku militonin shumë nga ata që e quanin “mik të ngushtë”, as që ka dashur që t’ia dijë. E me çfarë paturpësie sot kjo gazetë ilustron faqet e saj me hijen e një martiri të përbuzur? Ai u nda nga jeta duke shtyrë gurin e Sizifit, duke pritur dëmshpërblimin e të vuajturve të burgut si gjithë ne të tjerët dhe si shumë të tjerë shkoi në atë botë me duar bosh. Duke përfunduar do t’u thosha spekuluesve; lërini të qetë të vdekurit! Nuk mbulohet dielli me shoshë.

*ish i dënuar politik

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›