E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojaxhi: “Privatizimi i KESH-it nuk rëndon në xhepat e shqiptarëve”



Kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, është munduar që të qetësojë zërat se “një privatizim i shpejtë i OSSH-së do të shtrenjtojë akoma më shumë çmimin e energjisë”. Sipas tij, kompania e cila do të fitojë tenderin e privatizimit të OSSH-së, duhet të marrë parasysh edhe humbjen, e cila do ta shoqërojë atë për të paktën 5 vitet e para. “Çdo mosarkëtim faturash nga konsumatorët e ndryshëm, nga ana e kompanisë private, i bie si barë kësaj të fundit dhe ndikon direkt tek fitimet e saj, dhe jo tek xhepat e konsumatorëve”, - ka deklaruar Bojaxhi. Sipas tij, pas privatizimit të OSSH-së, cilësia e furnizimit me energji për konsumatorët shqiptarë do të rritet ndjeshëm pasi kompania do të kryejë investime të shumta dhe sidomos në rrjetin e shpërndarjes. “Investimet thelbësore të kompanisë që do të privatizojë OSSH-në do të rrisin ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji, si dhe do të ofrojë edhe një paketë të mirë financiare për privatizim”. Kreu i KESH-it ka shtuar më tej se të gjitha kompanitë që kanë hyrë në garën e privatizimit janë koshiente për humbjet e mëdha që ka korporata, si dhe për nivelin e humbjeve që do të kenë në 5 vitet e para të aktivitetit të tyre me këtë kompani.

“ENEL”, interes të posaçëm për privatizimin e OSSH-së

Kompania italiane në sektorin energjetik, “ENEL”, ka shprehur interesin për të marrë pjesë në privatizimin e KESH-it. Gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Berisha, administratori i kësaj kompanie, Fulvio Konti, prezantoi projektin për ngritjen e një TEC-i me kapacitet nga 600-1400 megavat në zonën e Porto Romanos. Gjithashtu, përfaqësuesit e “ENEL-group” i paraqitën Kryeministrit Berisha projektin për ndërtimin e një porti në zonën e Porto Romanos në Durrës. Delegacioni i “ENEL”-it, përveç interesit për privatizimin e OSSH-së në KESH, ofroi bashkëpunimin në realizimin e projektit afatgjatë bërthamor. Vizita e përfaqësuesve të kompanisë ENEL bëhet në vazhdën e vizitave të mëparshme, që përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë bërë në Shqipëri për finalizimin e projektit për ndërtimin e një TEC-i.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›