E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos harroni... si u shit Gërdeci!

Gëzim Podgorica 

Kashari është një komunë krejt fare ngjitur me Gërdecin. Aty jo vetëm u ndjenë dridhjet e shpërthimit të llahtarshëm, por edhe pasojat. Megjithatë, ndryshe nga se çfarë priste PS-ja në zgjedhjet për kryetar komune në korrikun e kaluar, rezultati ishte befasues. Jo vetëm që PS-ja u rendit e fundit, por votat më të pakta i mori në fshatrat pranë Gërdecit, kur llogaritë i kishte bërë krejt të tjera. Duke e politizuar skajshëm ngjarjen e rëndë të 15 marsit dhe duke luajtur me të si një kartë elektorale ajo jo vetëm pësoi ndëshkimin e politikës së vet demagogjike, por edhe të pabesisë që u kishte shkaktuar të gjithëve me oksigjenin politik që i dha maxhorancës dhe kryeministrit Berisha në momentin më të vështirë të tyre. Goma e shpëtimit që i dha Rama me amendamentet kushtetuese dhe konsensuse të tjera ishte shumë më konkrete dhe thirrje për të mos harruar demagogët, se sa e gjithë sfilata apo përbetimet që bënte për Gërdecin si dhe disa veprime në thelb të pavërteta e me karakter populist që treguan se nuk u besuan. Procesionet e organizuara, si variant i politikës së re, jo vetëm që nuk krijuan asnjë lloj garancie tek publiku për një reagim masiv e të vendosur për rrëzimin e qeverisë Berisha, por shumë shpejt u dekonspiruan si lëvizja mirëkuptuese e radhës e dy liderëve politikë që interesat me përfitim të ndërsjellë i bëjnë të ndërtojnë strategji të përbashkët dhe akuzat janë thjesht shfaqja teatrale e inskenuar në mirëkuptim të plotë.
Për të qenë në koherencë me këtë mënyrë të sjelluri, e cila nuk mundi në momentin më të domosdoshëm politik dhe social siç ishte ngjarja e Gërdecit të trondiste nga themelet qeverinë të akuzuar si shkaktare e përgjegjëse për këtë tragjedi, PS kërkon të luajë edhe një herë me këtë. Më 15 mars me moton: Mos harroni, ajo thërret gjithë qytetarët për një procesion tjetër, një procesion që jo vetëm nuk mund të krijojë dallgët e fuqishme të rrëzimit të kësaj qeverie, por do të kryejë vetëm ritin politik të radhës për ta përdorur më shumë si një aset elektoral se sa për ta kthyer në një lëvizje të vërtetë që e kërkon ndërgjegjja e përgjegjshme e një kombi. Kjo lojë e trishtë me një fatkeqësi njerëzore kalon gjithë kufijtë moral dhe politizohet aq skajshëm sa zëdhënësja e PS–së përmes një artikulimi të frikshëm bën edhe përjashtimet nga kjo veprimtari, pavarësisht se bën thirrje për pjesëmarrje përtej së majtës e së djathtës. Në fakt zëvendëszëdhënësja pas alibisë që artikulon, kujdeset të mos harrojë të derdhë mllefin e vet  për LSI-në, duke komprometuar jo vetëm thelbin e vërtetë që duhet të kishte protesta, por duke treguar se mbi të gjitha për subjektin ku ajo dhe mjaft të tjerë kanë hyrë kontrabandë ka rëndësi asgjësimi politik i kundërshtarëve shumë më tepër se sa dënimi i një vepre që duhet të rëndojë mbi shpirtin e kujtdo me sensibilitet normal njerëzor. Të vërtetën mbi organizimin e manifestimit të 15 marsit, zëdhënësja pa fare delikatesë e shprehu qartë kur i ftoi të gjithë të majtë e të djathtë, të PS-së e të PD-së, të PSD-së e të PR-së të jenë të pranishëm, veç ata të LSI-së jo. Në një front të ashtuquajtur qytetar ku bëhen seleksionime, nuk mund të besohet se ka shqetësim dhe merak të vërtetë për zbardhjen dhe dënimin e shkaktarëve të tragjedisë, por kërkohet të krijohet një front që të sulmohet hapur një formacion real opozitar, LSI dhe partitë në koalicion me të. Pra, Gërdeci edhe një herë shpërdorohet tragjikisht keq, luhet mizorisht skajshëm, abuzohet më të sikur të ishte një realitet optimist dhe jo një realitet nga i cili kërkohet një reagim shumë i përgjegjshëm dhe masiv. Gërdeci është vetëm një alibi gjoja e konstruktivitetit dhe e ndershmërisë politike të PS, kur në fakt, siç u bë në mënyrë komprometuese nga folësja e PS-së, ajo është një shfaqje për t’i bërë karshillëk një subjekti tjetër politik me të cilin ka nisur beteja e vërtetë elektorale. Gjithë ai “investim” që ka bërë PS gjatë kësaj periudhe me lëshime në kurriz të publikut ndaj maxhorancës aktuale vetëm për të rrëmbyer ligjin zgjedhor i cili tinëzisht është pjesë e një strategjie konstante për të asgjësuar një forcë reale dhe të vërtetë opozitare por që prish planet e sundimit politik të lidershipit të sotëm aktual në PS, tregon se ku qëndron e vërteta e fshehur e çiftëzimit politik Rama–Berisha. Gërdeci nuk është aspak thelbi, rasti i Gërdecit kërkon të jetë vetëm një sfidë e forcës që kërkon të tregojë PS në publik për mbështetjen e saj dhe për t’i obsesionuar të gjithë se ata do të jenë fituesit e rinj të zgjedhjeve, se LSI duhet braktisur! Eshtë një miting për të mposhtur frikën e vetë PS, pavarësisht se ka gjetur argumentin më të papranueshëm dhe nismën që PD dhe ajo kurrsesi nuk kanë të drejtë të ndërmarrin. Fajtori asnjëherë nuk mund të bëjë pelegrinazh tek viktimat pa e pranuar përgjegjësinë. Ajo kërkon të realizojë vetëm një çmobilizim elektoral të mbështetësve të subjekteve që janë në koalicionin e së majtës opozitare të vërtetë, i cili sigurisht që i prish shumë llogaritë e saj për të marrë pushtetin. Më saktë, ia bën krejtësisht të pamundur. Por PS nuk gëzon më asnjë lloj legjitimiteti që të jetë iniciatore e një manifestimi për të dënuar shkaktarët e ngjarjes së Gërdecit, kur ajo është e identifikuar si asfiksuesja e nxjerrjes së përgjegjësisë dhe e ndëshkimit të paktën me mjete politike të fajtorëve.
Mos harroni! Kjo është thirrja që kërkon ta bëjë moto PS, që në fakt ka nevojë edhe për një shtesë krejt të vogël: Të mos harrojmë ata që e shitën Gërdecin, ata që në momentin më kritik të qeverisë Berisha nuk ngurruan jo vetëm t’i ndërtojnë urën e kalimit për në bregun tjetër, por edhe të bënin pazare nga  më të rëndat për gjithë demokracinë shqiptare në emër të një Kodi Elektoral përjashtues i cili jep mundësi për të realizuar një kasaphanë elektorale që ka si objektiv mohimin e çdo alternative politike. Realisht nuk duhen harruar ato që penguan  procedurën  për ngritjen e një komisioni parlamentar edhe kur ajo erdhi e gatshme nga deputetët e LSI-së. Në korridoret e fshehta të mirëkuptimit direkt apo në distancë të Ramës me Berishën siç duket marrëveshja  parashikonte atrofizimin e çdo lëvizjeje dhe nisme që ndriçonte të vërtetën, që krijonte mundësi institucionale e ligjore që hidhnin dritë për këtë tragjedi. A thua për mungesë vizioni e shpërdoroi këtë mundësi lidershipi i PS, apo për pengje të tjera politike dhe ekonomike, që me sa duket vlejnë shumë më tepër se zbardhja e së vërtetës mbi Gërdecin?! Nuk është aspak e vështirë për të argumentuar se nuk është çështje vizioni politik, pasi edhe në mungesë të tij, iniciativa për krijimin e këtij komisioni u ndërmor, por ajo nuk u mbështet, arsye të cilat sigurisht që nuk patën asnjëherë kurajo t’i artikulonin disa nga ata që përpiqen të japin gjithfarë lloj arsyetimesh, po argumente kurrsesi jo nga foltorja e selisë rozë.
Një skandal nga më të rëndit u kalua nga një retorikë e lodhshme, shumë celebrale dhe e kufizuar vetëm në akuza elektorale. Tani përsëri, por jo për t’i shkuar drejt thelbit e së vërtetës, por rimerret kjo çështje për t’i dhënë vizivilitet një force politike dhe për të goditur një tjetër. Ndaj më 15 mars, por edhe më parë duhet thënë: Mos harroni, por mos harroni ata që e bënë dhe ata që e shitën Gërdecin, ata që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen politike duke abuzuar mbi fatkeqësi, ata që në një nismë politike  moralisht të korruptuar kërkojnë të mbështjellin demagogjinë e shëmtuar kallaji i së cilës bie çdo ditë. Të “dhembshurit” e Gërdecit dhe të nënë Feridesë investohen për të bërë show-n publik të radhës, por që do të funksionojë elektoralisht edhe një herë si Kashari!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›