Pse dhe si mund të mbrohet MARUBI!
HENRI ÇILI*
Pse nuk duhet të mbështetet Marubi” - shkruan Mark Marku dje në “Panorama”, duke shtjelluar argumentin e tij nisur nga premisa e zbatimit të shtetit ligjor. Dhe është e vërtetë që, duke respektuar parimet strikte të shtetit ligjor, me drejtësinë e syve të mbyllur, regjisori Çashku dhe akademia e tij nuk janë në rregull, ose nuk janë në rregull plotësisht me ligjin. Por nga media dhe akademizmi nuk priten interpretimet juridike të realitetit. Ato ia lëmë drejtësisë dhe administratës, e cila na merr, na harxhon dhe shpërdoron mjaft para publike për këtë qëllim. Duke qenë gjithaq dakord me mikun dhe kolegun Mark Marku, për atë që “Marubi” dhe akademia e tij nuk janë fort në rregull “me letra”, mundet gjithaq ta shfrytëzojmë rastin “Marubi” për të ngritur një diskutim të ri: cili do të duhet të jetë roli i shtetit në raport me aktorët e arsimit në Shqipëri këtej e tutje, cili do të duhet të jetë modeli i qasjes ndaj këtij sektori për të ardhmen dhe së fundi cila do të duhet të jetë qasja ndaj një shkolle specifike si shkolla e “Marubi”, e cila është arsim dhe art së bashku.
Së pari: Tipologjia e konfliktit të shtetit me Akademinë “Marubi” ekspozon në themel një raport të vjetruar që ka shteti me arsimin e lartë në Shqipëri. Sistemi i vjetër i edukimit të lartë është i ndarë me thikë “shteti mbështet 100 sektorin publik të edukimit të lartë dhe takson 100 për qind të arsimit të lartë privat ose jopublik”. Kjo është një qasje e prapambetur, është një qasje nga e cila është larguar me kohë modeli i demokracive anglosaksone dhe që po përpiqem me mund të madh e me shpejtësi të vogël për shkak të rezistencës së sindikatave, mentaliteti majtist e gjithë koncerti i demokracive të Europës kontinentale. Pavarësisht nëse një shkollë është shtetërore apo publike, funksioni i saj është “tërësisht publik”. Sistemi arsimor është tërësisht me qëllim publik, ai edukon të rinjtë, krijon vlera të cilat i përdor shoqëria në tërësi, pa shikuar nesër nëse ke dalë nga universiteti publik apo privat. Presidenti Obama vjen nga Harvardi privat dhe sot i shërben SHBA-ve publike, shumë prej këshilltarëve apo sekretarëve të administratës së tij.
Shteti dhe qeveria duhet të jenë imparcialë ndaj sektorit të edukimit të lartë. Paraja publike duhet të shkojë në mënyrë të barabartë aty ku është studenti shqiptar, biri apo bija e taksapaguesit shqiptar, të cilët duhet të përfitojnë njësoj nga taksat dhe jo ata që i drejtohen sektorit privat të vuajnë “taksimin e dyfishtë”. Është e padurueshme që një Akademi Shtetërore e Arteve, si ajo që gjendet në fund të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” të subvencionohet 100 për qind nga shteti, kurse Akademia “Marubi” të mos mund të përdorë disa ambiente të ish-Kinostudios të rrënuara deri dje, të cilat sot kanë marrë jetë falë iniciativës dhe pasionit të Kujtim Çashkut dhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë. Është një diskutim tjetër se si dhe me çfarë procedurash duhet të shpërndahet mbështetja publike për aktorët e ndryshëm, i rëndësishëm është parimi, e rëndësishme është nevoja e një parimi të ri. Shteti është i pranishëm në arsimin e lartë për të realizuar disa qëllime si mbështetje për akses në arsimin e lartë e shtresave në nevojë, mbështetje ekselencës, mbështetja e degëve për të cilat shoqëria ka nevojë, por nuk preferohen shumë (mësuesi, shkencat e natyrës etj.) mbështetja e degëve me rëndësi strategjike (arkeologji, gjeologji, gjuhësi, filozofi etj.) apo mbështetja e zhvillimit rajonal (universitetet e rretheve).
Në të njëjtën mënyrë në universitetin publik duhet të lejohet të shkojë paraja private, duke e ndarë një herë e mirë sistemin e financimit të arsimit të lartë nga sistemi i pronësisë mbi arsimin e lartë. Të gjithë aktorët e arsimit të lartë, publikë, jopublikë dhe privatë duhet të vihen në konkurrencë për të përfituar në mënyrë meritokrate, subvencionet publike, bursat publike, pagesat dhe tarifat private dhe çdo lloj forme tjetër. Asnjë formë diskriminimi i njërit dhe tjetrit, apo favorizimi nuk duhet të lejohet. Sot Çashku dhe Akademia e tij janë në konflikt jo me qeverinë, por me sistemin aktual të pjesëmarrjes së shtetit në arsimin e lartë.
Së dyti: Brenda kësaj paanësie që shteti duhet ta ketë ndaj arsimit të lartë, çështja e shkollave të artit është një problem në katror. Përveçse vepron në konkurrencë krejtësisht të pabarabartë me kolegët e vet të Akademisë Shtetërore të Arteve, të cilët subvencionohen 100% nga shteti, ashtu sikurse të gjithë universitetet publike, kolegu Çashku në ndryshim me kolegët e tjerë të këtij sektori që kemi hapur degë dhe profile shumë të kërkuara në treg si juridik, ekonomik, informatikë etj., ka dhe një problem tjetër: Akademia e tij ka degë për të cilat mund të ketë pasionantë, por jo treg pune. Ndaj, atij aq më shumë se të tjerëve, i takon një mbështetje nga shteti për të mbajtur në këmbë akademinë e tij modeste për nga përmasat, por të madhe për nga përkushtimi dhe pasioni i atyre që japin mësim dhe marrim mësim aty.
Në kushtet kur në Shqipëri po legalizohen 380 mijë ndërtime pa leje, në kushtet kur shteti ka për mision të mbështesë arsimin, kulturën dhe artin është mëse e natyrshme të kapërcehet germa e ligjeve: të ndërtohet një frymë tjetër e tyre. Të ndërtohet një qasje tolerante dhe një trajtim bashkëkohor i marrëdhënieve të tilla shtet-arsim-art. Rasti Çashku është një mësim i madh: ai është provokimi i një debati me themel që duhet të bëhet për disa tema me rëndësi kapitale për të ardhmen e shoqërisë shqiptare, si ato të rolit të shtetit në sektorin e edukimit të lartë, rolin e shtetit në art dhe kulturë. Jemi para zgjedhjeve dhe ta fillojmë këtë dialog të hapur dhe konstruktiv me të gjithë aktorët që po kërkojnë votën shqiptarëve në 28 qershor. Faleminderit Çashku!
*Administrator i
Universitetit Europian të Tiranës.