Dialog me mikun dhe retë e bardha
Fort i dashur mik dhe ju re të bardha në hapësirë...
1. Fundi i një viti është mbledhje e një bilanci,kështu iku edhe një vit krenar në jetën e shqiptarëve, natyrisht ky është portreti që e lexojmë apo e shikojmë në Tv. Si djem krenarë të këtij vendi duhet të krenohemi se kemi vizonarë të mëdhenj që po projektojnë të ardhmen e Kosovës. Miku im nuk është cinizëm asesi por a mundem a thua edhe ne natën e ndërrimit të moteve ngapak të gjithë sidomos pozita dhe opozita të shikohen në pasqyrën e realitetit. Nuk e di përse por shprehja më e shpeshtë si rutinë, si brengë kur rrinë netëve të vona me miq dhe dashamirë është bërë se sa shpejt po ikin vitet. Pyetje që përbën trishtim dhe dilemë në të njëjtën kohë. Në dy paralele ky tregim do të ketë dy përgjigjje në të njëjtën kohë ndryshe të diturit do të përgjigjeshin kur konsumojnë konjak dhe ndryshe kur ngrënin qershi. Në të njëjtën kohë dikush konsumon konjak dhe dikush tjetër ngrënë qershi.Anatema e kohës do të thoshte se a nuk ka qenë kështu që nga krijimi i botës,apo nga epoka kur Jezusi klithi “O Atë, në duart tua po e lë shpirtin tim’’…
2. Në orën 22.00 të natës së ndërrimit të moteve “pa pritur dhe pa kujtuar’’ pas një serie të restriksioneve gjatë ditës u ndal rryma.Në një natë kur nëse përcjell itenerarin e sms-ve në ekranin e telefonit nuk mungojnë mesazhe që përsosin artin e kultivimit të optimizmit. Siç e do rendi në republikën tonë krenare të rrëfimit rryma në natën e ndërrimit të moteve erdhi pak pas orës 24 mbase si për ironi të fatit a fatkeqësisë për të ndriçuar oborrin tënd fishekzjarret…Miku im c’ka mundet njeriu për t’i shkruar në tërë këtë kaos ministres së respektuar Justina Pula kur paraprakisht e dinë se ka marrë këtë resor për të ndryshuar diç në këtë sektor tejet problematik,të lutem ministre jep dorëheqje dhe ndjehu krenare në Republikën e Kosovës sepse nuk po shkon më më tej, nëse nuk jep dorëheqje nuk bëhet nami vazhdon rrugën e paraardhësve dhe të lutem në të kundërt tallu me këtë shkrim. Nuk mund ta akuzojë ministren personalisht por sigurisht ajo e dinë faktin se shumica e kosovarëve nuk posedojnë shtëpi që mund të lëshojnë rrymën alternative me të shtypur butonin pranë kokës dhe për ta ky është luks pranë pasqyrave fantastike…
3. Miku im, ndoshta ministrja nuk jep dorëheqje sepse kjo është edhe kohë e talljes ama unë nuk kam frikë për shtetin si letër juridike, kontestimin e pavarësisë së Kosovës as kur natën e fundit të një viti historik dhe krenar e kaloj dhe e kalojmë në terr (cinikët do të thoshin a e di ti pas pavarësisë kur ka shkuar rryma në Izrael… ). Kam shumë frikë e drojë miku im si portret i secilit qytetar të Kosovës për bukurinë e shëmtuar të këtij shteti. Frikë që nuk bazohet në një këngë mllefi për një natë pa drita, por ata që pinë figurativisht konjak në Kosovën e pasluftës përse nuk dëshmojnë të paktëm bindshëm përse qytetarët që hanin qershi në tortën e hidhur nuk kanë rrymë në natën e ndërrimit të moteve të një viti për të cilin pajtohemi secili se ishte tejet historik…
4. Lexova gazetat një nga një. Në një analizë të ftohtë mu duk se ka të drejtë pushteti legjitim qeverisës kur e shikon me sytë e idealistit vitin e pavarësimit de fakto të Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka të drejtë shoqëria civile dhe opozita kur tentojnë këtë idealizëm ta kthejnë në realitet të arsyeshëm. Në një shtet që ka shpallë si postulat të vetin demokracinë dhe bindjet demokratike të një shteti funksional në terr janë qytetarët e këtij shteti natën e ndërrimit të moteve.Kjo zgjatë me vite dhe ministri paraprak nuk ndjehej përgjegjës, ministrja aktuale nuk ndjehet përgjegjëse. Mbase me ironinë migjeniane të fillim shekullit të kaluar përgjegjës janë ata që nuk kanë drita në shtëpi, ata që qëndrojnë lakuriq në borë dhe e mbajnë shpirtin me fraza patriotike…Kur të thonë merre shportën e madhe për të mbledhur qershi dysho dhe mos beso. Miku im kur të shikosh retë e bardha në qiellin e Cyrihut, Berlinit, Londrës, Oslos apo New Yorkut mendo për një copë Kosove dhe këtë tregim. Më mirë lësho një këngë folklorike ku e sheh Kosovën tjetër, Kosovën trimëreshë që ka vra e ka pre në tramvaj të Zagrebit…Gëzuar…