E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në Poliçan, vdes punonjësja

Autori i Lajmit: red.
Shpërthen një predhë në uzinën e çmontimit të predhave në Poliçan. Një punonjëse humb jetën, ndërsa kolegu i saj plagoset rëndë. Ngjarja e paralajmëruar ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur Suzana Kapxhiu, 45 vjeçe, humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një djegoreje, pjesa fundore e predhës. Në incident mbeti i plagosur dhe një punonjës tjetër, Adriatik Hysenbelliu. Ndërkohë, grupi i ekspertëve që ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ka cilësuar si gabim njërëzor shpërthimin. Mësohet se gjithçka ka ndodhur pasi 45-vjeçarja ka ndezur një zjarr në murin e jashtëm rrethues.
Ngjarja
Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në ambientet e Uzinës së Çmontimit të Predhave në Poliçan. Punonjësja e uzinës, Suzana Kapxhiu, 45 vjeçe, humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një diegoreje. Në incident mbeti i plagosur dhe një punonjës tjetër, Adriatik Hysenbelliu. Grupi hetimor, i ngritur pas shpërthimit në Kombinatin Mekanik në Poliçan, arriti në konkluzion se ngjarja ka ardhur si pasojë e gabimit njerëzor. Sipas ekspertëve, Suzana Kapxhiu, 45 vjeçe, e cila mbeti e vdekur nga shpërthimi, i kishte vënë flakën njërës prej arkave të djegoreve, ku ndodhej dhe një e pashpërthyer. Menjëherë pas ngjarjes kryetari i Bashkisë së Poliçanit njoftoi se shpenzimet e varrimit do të merren përsipër nga pushteti lokal, e po ashtu djalit të viktimës do t i akordohet një bursë.
Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe punonjësi tjetër, Adriatik Hysenbelliu, i cili po merr ndihmën e mjekëve në spitalin e qytetit.
Ekspertët
Forca të policisë dhe ekspertë të hetimit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur dhe shkaqet e këtij incidenti të rëndë. Ndërkohë, në mes të muajit të kaluar në këtë uzinë, dikur Uzina e Armëve, u asgjësuan plot 113 kg zhivë dhe kimikate të tjera të mbetura stoqe. Gjatë procesit të shkatërrimit të lëndëve të rrezikshme luftarake policia evakuuoi banorët e zonës përreth. Në këtë operacion asgjësimi mori pjesë vetë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ndërsa nuk u raportua asnjë incident.

MM: Vdekja nga zjarri jashtë ambienteve, viktima punonjëse në repart

Shpërthimi i ndodhur në Poliçan, me një të vdekur e një të plagosur, ka detyruar Ministrinë e Mbrojtjes që të reagojë. Gjatë një konference për shtyp, Ministria është shprehur në lidhje me incidentin e ndodhur në Poliçan. “Rreth orës 8.10 të mëngjesit, në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, në afërsi të repartit të poligonit ka ndodhur një aksident shumë i rëndë me pasojë humbjen e jetës së punonjëses së kësaj fabrike, Suzana Kapxhiu, 45 vjeç. Jashtë ambienteve të repartit të poligonit, 6 punonjësit e këtij reparti, përpara se të nisnin punën, kanë ndezur një zjarr për t u ngrohur përbri murit të poligonit të provave poligonale të fishekut”, - thanë burime zyrtare të Ministrisë. “Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe, si shkak i këtij zjarri, një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në kokë, në pjesën anësore të saj. Ajo është shoqëruar menjëherë drejt spitalit të Poliçanit, por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës”, - shtuan ato. Sipas informacioneve të ardhura nga drejtoria e Kombinatit të Poliçanit, në këtë repart kryhej që prej vitit 2004, çmontimi i djegoreve të shtimjeve të kalibrit 57 mm. Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi (përgjegjës poligoni), Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj.
Të gjithë punonjësit, prej një muaji ishin duke pastruar të gjithë territorin nga mbeturinat e këtij demontimi. Ndërsa ky proces kryhej prej 4 vitesh, këta punonjës kanë pasur një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë lloj pune. Ministria e Mbrojtjes njofton se ky aksident nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit duke mos respektuar rregullat e sigurimit teknik në punë. Menjëherë, sapo jemi informuar për këtë ngjarje, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar policinë dhe prokurorinë, të cilat kanë nisur hetimet për të nxjerrë edhe shkakun e këtij aksidenti.

6
persona punonin në sektorin e demontimit të predhave në uzinën e çmontimit në Poliçan

1
grua 45-vjeçare ka humbur jetën, pasi ka ndezuar një zjarr me kartonët me të cilët ishin mbështjellë djegoret

1
burrë ka mbetur i plagosur për shkak të shpërthimit të një djegoreje, mëngjesin e djeshëm në Poliçan

Shpërthimi në Gërdec
Plot 26 viktima, rreth 300 të plagosur dhe dëme në miliona euro ka qenë bilanci i shpërthimit të 15 marsit të vitit të shkuar në Gërdec. Në fabrikën e demontimit të armëve ishin të punësuar burra, gra dhe fëmijë. Vetëm pak ditë pas ngjarjes Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka hedhur poshtë versionin se shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec ka ardhur si pasojë e vënies së zjarrit me qëllim. Gjatë deklaratës së saj në lidhje me hetimet e deritanishme, Ina Rama ka deklaruar se është konkluduar se zjarri ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave për municione dhe demontim të tyre. “Pas hetimeve të vazhdueshme, pas shumë dëshmive dhe ekspertizave në vendin e ngjarjes ka rezultuar se shpërthimi i 15 marsit në Gërdec ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të demontimit”,- ka deklaruar Ina Rama para mediave. Ndërkohë disa kohë më vonë janë vënë në pranga tre të dyshuar si përgjegjës për ngjarjen dhe tashmë priten hetimet për dosjen voluminoze dhe komplekse për të vërtetuar nëse ka të tjerë të dyshuar. Ndërsa vlerësimi i dëmit i bërë nga grupet e ekspertëve të ALUIZNI-t, Prefekturës dhe Bashkisë së Vorës arriti në përfundimin se janë dëmtuar 4200 banesa, nga të cilat 412 banesa janë shkatërruar plotësisht dhe 3800 të tjera paraqesin dëmtime të mesme apo të lehta. Vlerësimi material i dëmeve përfundoi dje në mbrëmje, ndërsa sot fillon vlerësimi financiar, në bazë të dosjeve të përpiluara nga grupet e ekspertëve dhe të firmosura nga të gjithë kryetarët e familjeve, pronarë të objekteve të dëmtuara. Grupet e vlerësimit financiar do të përbëhen nga një numër i madh ekspertësh të specializuar nga ALUIZNI, Enti Banesave dhe Prefektura e Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 07/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›