E majta dorëzohet - 6 muaj para zgjedhjeve, bën gati alibitë për humbjen
Pa filluar mirë ethet e fushatës elektorale, protagonistët e së majtës janë futur në një garë se kush gjen alibinë më të besueshme për të justifikuar dështimin e pritshëm në zgjedhjet e qershorit përballë së djathtës. Për LSI-në disfata do vijë nga një Kod Zgjedhor difektoz që u pranua nga PS, ndërsa për Gjinushin shkak do të jetë vonesa e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore. PS hesht e përpiqet të mbesë e para e opozitës, edhe pas votimeve të qershorit
TIRANE - Një pjesë e opozitës së majtë ka paralajmëruar që tani mundësinë e mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit të ardhshëm duke shprehur kësisoj hapur drojën e humbjes së sigurt në këtë përballje të rëndësishme elektorale me të djathtën në pushtet.
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, deklaroi dje se si prioritet i kësaj force politike për 6-mujorin e fundit të këtij mandati është ruajtja e integritetit të zgjedhjeve. Megjithatë këtu Xhufi lë të hapur mundësinë e mosnjohjes së rezultatit të tyre.
“Varet rezultati i zgjedhjeve, do të vazhdojë si do të shkojnë zgjedhjet dhe unë nuk mund të paragjykoj dhe të parashikoj se si do të shkojë. Natyrisht premisat janë negative me sistemin e ri zgjedhor që u zgjodh me Kodin Zgjedhor, me mungesat e mëdha që vazhdon të ndihet, sidomos kartat e identitetit. Të gjitha këto janë premisa negative për zgjedhjet. Ne do të bëjmë, si forcë politike, të pamundurën në mënyrë që të ruajmë integritetin e këtyre zgjedhjeve nga pozicioni që kemi”, nënvizoi Xhufi.
Gjithsesi kreu i grupit parlamentar të LSI-së tha se gjatë këtij sesioni LSI-ja do të japë votat për ligjet e drejtësisë, pavarësisht kundërshtisë së deklaruar nga selia rozë.
Edhe nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi i pyetur mbi çështjen e kartave të identitetit tha se “që zvarritja e këtij procesi rrezikon standardet e zgjedhjeve”.
“Pajisja e shqiptarëve me karta identiteti është dhe një ndër kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne si LSI, kërkojmë transparencë parlamentare dhe publike për ecurinë e këtij procesi”, deklaroi dje ai.
E ndërsa nuk mundet që të nxjerrë si alibi parësore për humbjen e pritshme të së majtës në zgjedhje Kodin Zgjedhor, kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, është fokusuar me tepër pikërisht te kartat e identitetit.
Sipas tij sistemi i ri elektoral dhe kuadri i plotë ligjor i miratuar tashmë nga parlamenti është një garanci për fitoren e së majtës në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë Gjinushi thotë se “është e vështirë që të respektohen të gjitha afatet e parashikuara në ligj”, duke nënvizuar se “sfida më e madhe për këto zgjedhje mbeten kartat e identitetit”.
“Tashmë që vendi ka gati një kuadër të plotë ligjor gjashtë muaj para zgjedhjeve, përgjegjësia më e madhe i mbetet qeverisë për listat zgjedhore dhe dokumentat e identifikimit me të cilat do të votojnë qytetarët”, deklaroi dje Gjinushi.
Deklarojnë drejtues të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme
Prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit fillon brenda janarit
Pak ditë më parë drejtues të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, bënë me dije se kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, elementët kyç të transparencës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, së bashku me listën e zgjedhësve, do të jenë gati në javën e tretë të janarit 2009.
Sipas këtyre drejtuesve, mësohet se për kartat e identitetit, do të çelen në gjithë Shqipërinë mbi 400 qendra aplikimi, ku shqiptarët do të japin të dhënat në një formular, do të bëjnë një foto dixhitale dhe do t u merren shenjat e gishtërinjve. Karta e identitetit do të jepet nga mosha 16 vjeç e sipër dhe me afat përdorimi për 10 vjet. Pasaportat biometrike do të kenë ngjyrën e pasaportave të Bashkimit Evropian dhe do të zëvendësojnë pasaportat e kuqe të deritanishme. Ndërsa kartat e identitetit, përveçse që mund të përdoren si dokument identifikimi në zgjedhje, do të zëvendësojnë çertifikatat personale te deritanishme dhe do të eliminojnë radhët e gjata të qytetarëve në zyrat e gjendjes civile.
Të dyja dokumentet kanë një sërë elementësh të sigurisë së lartë.