E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, emigrantët kalojnë natën jashtë

Radhë kilometrike emigrantësh që prisnin të kalonin në tokën greke janë shënuar në pikin doganore të Kapshticës gjatë orëve të natës duke u gdhirë e mërkura. Ritmi i ngadaltë i punës nga pala greke ka vështirësuar lëvizjen e emigrantëve. 

KORCE- Një natë e vështirë ka qenë ajo e të martës duke u gdhirë e mërkurë për të gjithë emigrantët të cilët kishin zgjedhur pikën doganore të Kapshticës, në Korcë për t’u kthyer në Greqi. Nën të ftohtin acar që ka përfshirë këto ditë gjithë vendin radhët e automjeteve të emigrantëve që prisnin për të kryer procedurat e kontrollit kanë qenë kilometrike deri në 05.00 të mëngjesit të sotëm. Emigrantëve u është dashur të presin deri në 5 orë për të hyrë në Greqi për shkak të ritmit të ngadaltë me të cilin punonte pala greke. Pavarësisht premtimit që i ishte dhënë palës shqiptare për të shtuar numrin e sporteleve policia doganore helene gjatë natës së mbrëmshme ka punuar vetëm me 3 sportele. Policia kufitare shqiptare e Kapshticës kishte vënë në dispozicion 6 sportele, ndërsa një ambulancë ka qëndruar në gadishmëri gjithë natën për të dhënë ndihmën e shpejtë në rast nevoje. Sipas të dhënave zyrtare nga policia kufitare e Kapshticës nga mesnata e së martës deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës kanë lënë Shqipërinë 1200 persona me 430 mjete, ndërsa në 24 orët e fundit shifrat janë: 5 mijë persona me 1100 mjete kanë dalë nga Shqipëria.
Sipas policisë kufitare të Kapshticës situata në mëngjes është më e qetë, ndërsa fluksi i emigrantëve pritet të rëndohet në orët e mesditës.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›