E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga ISKSH

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Brenda muajit mars, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratat me spitalet publike, ndërkohë që brenda kësaj periudhe drejtorët e spitaleve do të lidhin kontrata me të gjithë punonjësit. Kjo është faza e parë e reformës spitalore, e cila do të monitorohet rreptësisht nga ISKSH. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Elvana Hana, kjo do të sjellë autonominë e spitaleve, po ndërkohë pacientit do t i sigurojë medikamentet e nevojshme, të cilat nuk do të mungojnë. "Spitalet do të kenë më shumë barna, pasi do t i prokurojnë vetë që në fillim të vitit dhe, natyrisht, do të garantohen nëpërmjet një kontrolli shumë të hollësishëm nga ISKSH-ja që të gjithë spitalet do të kenë barna, barnat më të domosdoshme, sipas shërbimeve që ato japin", - bëri të ditur drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. ISKSH do të financojë një paketë shërbimesh për ato spitale me të cilat do të lidhë kontrata. Në një fazë të dytë do të shihet nëse do të ketë zgjerim të kësaj pakete për të gjithë ata që paguajnë sigurime shëndetësore, pavarësisht tarifave të ndryshme, shërbimet do të jenë të njëjta. "Kontrata do të ketë të përcaktuar vetëm atë shërbim që jep spitali dhe për atë do ta paguajmë ne, në momentin e kotraktimit dhe më tutje. Në qoftë se do të ketë nevojë për t u shtuar shërbime të tjera, ose për të zgjeruar këtë, natyrisht që do të ketë nevojë për para të tjera, të cilat do të negociohen midis nesh dhe Ministrisë së Financave, në qoftë se do të duhet që kjo paketë e shërbimeve fillestare të jetë më e zgjeruar", - vijoi Hana. Por nga ISKSH rezulton një listë e institucioneve që nuk do të financohen nga ky institucion, si spitali psikiatrik i Vlorës, i Elbasanit, etj. Përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, e përcaktuar së fundmi me vendim të Këshillit të Ministrave, i hap rrugën një ndryshimi të rëndësishëm në sistemin shëndetësor, duke nisur nga një pikë kyçe, siç është financimi i spitaleve. Në kontratën dypalëshe, ndër të tjera përcaktohen shërbimet e parashikuara për çdo spital, mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit, modalitetet e pagesës së spitalit, metodologjia e llogaritjes së shpenzimeve, treguesit e cilësisë dhe performancës, mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga ana e ISKSH, sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruarve, si dhe mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. "Një nga pikat më të rëndësishme të këtij vendimi ka të bëjë me shndërrimin e spitalit në person juridik publik, me buxhet të pavarur, i cili do të ketë mundësi kontraktuale dhe do të jetë përgjegjës për realizimin e prokurimeve publike të vetë spitalit", tha drejtoresha e ISKSH-së. Sipas saj, "kjo do të thotë që spitalet fitojnë autonomi sa i takon përdorimit të fondeve për nevojat e spitalit e në mënyrë të posaçme për furnizimin me medikamente". Procedurat do të monitorohen nga ISKSH-ja, e cila do të kontrollojë spitalet për pjesën e financimit. Ndërkohë, një rol themelor në mbarëvajtjen e kësaj reforme i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë. "Sipas vendimit të Qeverisë, brenda korrikut 2009, MSH duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim". Sipas këtij vendimi, spitali ushtron veprimtarinë e tij bazuar në këto standarde që përcaktohen nga MSH dhe mund të rivlerësohen çdo vit.

Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga ISKSH
1. Shërbimi i Kardiologjisë
-hemodinamika
-reanimacioni i kardiologjisë
2. Shërbimi i kardiokirurgjisë
3. Shërbimi i kirurgjisë angiovaskulare
4. Shërbimi i hematologjisë
5. Shërbimi i gastrohepatologjisë
6. Shërbimi i endokrinologjisë
7. Shërbimi i nefrologjisë dhe hemodializës
8. Shërbimi i anestezi-reanimacionit
9. Shërbimi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme
10. Shërbimi i mjekësisë interne
11. Shërbimi i alergologjisë
12. Shërbimi i reumatologjisë
13. Shërbimi i dermatologjisë
14. Shërbimi i ortopedisë
15. Shërbimi i okulistikës
16. Shërbimi i ORL-së
17. Shërbimi i kirurgjisë maksilo-faciale
18. Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme
19. Shërbimi i urgjencës kirurgjikale
20. Shërbimi i kirurgjisë digjestive
21. Shërbimi i urologjisë
22. Shërbimi i djegie-plastikës
23. Shërbimi i neurologjisë dhe neurofiziologjisë
24. Shërbimi i neurokirurgjisë
25. Shërbimi i onkologjisë dhe kirurgjia onkologjike
-statistika onkologjike (regjistri i kancerit)
-laboratori histopatologjik onkologjik
-laboratori klinik-biokimik onkologjik
26. Shërbimi i rrezatim kobaltit
27. Shërbimi infektiv
28. Shërbimi i pediatrisë së përgjithshme
-urgjenca pediatrike
-fizioterapia pediatrike
29. Shërbimi i pediatrisë së specialiteteve
30. Shërbimi i pediatrisë infektive
31. Shërbimi i kirurgjisë infantile
32. Shërbimi i onkohematologjisë pediatrike
33. Shërbimi i reanimacionit pediatrik
34. Shërbimi i laboratorëve (Klinik-biokimik, mikrobiologjik, imunologjik, anatomopatologjik, gjenetik mjekësor, laboratori i mjekësisë nukleare)
35. Shërbimi i imazherisë
36. Shërbimi i fizioterapisë
37. Shërbimi i statistikave
38. Shërbimi i pneumologjisë
39. Shërbimi i kirurgjisë torakale
40. Shërbimi i ftiziatrisë
41. Shërbimi i gjinekologjisë
42. Shërbimi i obstetrikës
43. Shërbimi i patologjisë së barrës
44. Shërbimi i neonatologjisë
45. Shërbimi i farmacisë
46. Shërbimi i konsultave ambulatore
47. Shërbimi i toksikologjisë
48. Shërbimi i koordinimit të urgjencave
49. Shërbimi i psikiatrisë ( QSUT )
50. Kontrolli i infeksioneve spitalore

Mbështetur në ligjin e spitaleve

1. Spitali ditor
- shërbim të ndihmës së parë mjekësore për trajtim dhe kurim 24-orësh
2. Spitali në nivel bashkie (rrethi) shërbim urgjence
- shërbim i mjekësisë së përgjithshme
- shërbim i kirurgjisë së përgjithshme
- shërbim i pediatrisë
- shërbimi obstertik-gjinekologjisë
- shërbimi i anestezi-reanimacionit
- shërbimi i radiologjisë
- shërbimi i laboratorëve klinik-biokimikë
- shërbimi i farmacisë
3. Spitali në nivel qarku (rajonal)
- shërbim urgjence
- shërbim i mjekësisë së përgjithshme
- shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme + ortopedi traumatologji + urologji
- shërbimi i pediatrisë
- shërbimi i obsetrisë-gjinekologjisë
- shërbimi i anestezi-reanimacionit
- shërbimi i radiologjisë
- shërbimi i fizioterapisë
- shërbimi i laboratorëve klinik-biokimikë dhe mikrobiologjikë
- shërbimi i anatomisë dhe histologjisë patologjike
- shërbimi i hemodializës
- shërbimi i farmacisë
- klinika e ORL-së
- klinika e okulistikës
- klinika e sëmundjeve infektive
- klinika dermatologjike
- kabineti i onkologjisë
- kabineti i riaftësimit
- kabineti i dietologjisë

Lista e institucioneve që nuk do të financohen nga ISKSH

Spitali Psikiatrik Vlorë
Spitali Psikiatrik Elbasan
Shërbime të shëndetit mendor në rrethe
Shërbimi i Psikiatrisë Shkodër
Qendra Kombëtare e Riaftesimit, mirërritjes dhe zhvillimit të fëmijëve
Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit
Oficina elektro- mjekësore
Njësia e Transportit me Helikopterë.

Ky lajm është publikuar: 07/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›