E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi vetëpikturohet ashtu siç nuk është!

Besueshmëria e politikanit - Jo më kot në Europën Perëndimore dhe në Vendet Atlantike ajo që quhet privacy, si një e drejtë themelore e njeriut, është më pak e zbatueshme te politikanët, sesa te njerëzit e zakonshëm. Politikani, nënkuptuhet, duhet të ketë integritet më të plotë moral si një person, personaliteti i të cilit ndikon drejtpërdrejt në një masë të madhe njerëzish të cilët i kanë dhënë votën apo nuk e kanë votuar.
Ngjarja vetjake e presidentit Bill Klinton me Monika Leviskin nuk do të kishte asnjë pasojë, po të kishte të bënte me një episod të figurave të Hollivudit. Aktorët e kinomatografisë i thonë vetë, pa u gjurmuar, mëkatet e tyre të shmangies nga një parim i moralit tradicional, le të themi edhe patriarkal.
Ndërsa ne të gjithë e dimë se Klintoni bëri një mea culpa publike, dhe Hilari u tregua mirëkuptuese ndaj pendesës së bashkëshortit të saj. E, megjithatë, çështja për pak sa nuk u zyrtarizua si e padenjë, domethënë me një shkarkim presidencial.
E themi këtë për të bërë një krahasim me vendin tonë, i cili mëton të ndjekë shembullin e vendeve auroatlantike, për ato kërkesa të personave të politikës, në integritetin e tyre moral, duke e përdorur këtë shprehje në kuptimin e rëndomtë të fjalës, sipas botëkuptimit tonë.
E majta shqiptare edhe në këtë  drejtim është treguar më liberale, pavarësisht se është pushtuar nga kthetrat e nostalgjive të hershme. Dhe, për më tepër, ka pasur aftësinë mediatike më të fuqishme që të imponohet. Domethënë kur Edi Ramës i doli në foto të publikuara nudizmi i tij, shumë pseudoliberalë filluan të shkulnin faqet: pu-pu-pu! Po ç’u duhet këtyre? Është jeta e tij private!
I quajmë pseudoliberalë sepse në shtëpinë e tyre a do ta linin vajzën e tyre që të dilte lakuriq në plazhe “të lira?”.
Shoqëria dhe familja - Dikush e ka quajtur familjen si një shoqëri në miniaturë. Shoqëria dhe familja  ndryshojnë, në këtë kuptim, nga ana sasijore, kurse janë (ose duhet të jenë) kongruente (të përputhshme) në pikëpamje cilësore. Njihet thënia latine mens sana in corpore sana (mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë). Në kuptimin krahasimor të familjes dhe të shoqërisë, merr kuptim edhe shprehja shoqëri e shëndoshë në familje të shëndoshë. Do të ishte hipokrit mendimi se shoqëria (vendi, në përgjithësi) duhet të jetë i shëndoshë, ndërsa familja është “punë private”. Veçse majtizmi ynë, - që është përfolur në vazhdimësí se s’është aspak i ngjashëm me majtizmin perëndimor, - ky lloj majtizmi sui generis, pra, është i prejardhur nga diktatura komuniste. Dhe s’mund të vihet fare në dyshim, se një mendësi e tillë, veç propagandës mashtrueshe, ka tipar të vetin edhe tematikën tabù. Në këto tema të paprekshme u dashka të jetë edhe ajo e jetës private që s’duhet bërë publike. Në përgjithësi, po. Veçse në raste të veçanta, si ajo e personave me ndikim në shoqëri, është qëllimkeqe që të shtrihet edhe në këta persona, që duhet të japin shembullin vetjak. Sepse ç’mund të presësh nga një njeri që kërkon të marrë frenat e shtetit, i molepsur me instinktet e tij cinike në familje? Atëherë përse kërkohet pastërtia e figurave me pëshë në politikë? E, meqë përkohësisht dolëm në një temë tjetër, edhe në këtë rast politikisht janë kundër një shoshitjeje të imtësuar të personave mëkatarë, bash partitë e së majtës! (Kërkojnë ruajtjen e privilegjeve të akumuluara nga diktatura!). Që të mos e lëmë të këtë nëntemë, le të themi édhe se është tymnajë ajo dredhi, sipas së cilës kërhasohet një sekretar partie i një institucioni, (që merret me mbarëvajtjen e punës në një spital, për shembull) me sekretarët e partive të Komiteteve të Partisë, që kanë pasur për detyrë edhe të realizojnë “planet e dënimeve të armiqve” .
Edi Rama, “në rol” të humanitarit - Pasi u orvat të bindë fshatarët nga veriu në jug dhe anasjellas, se ai është personi që mund të flasë jo vetëm në emër të socialistëve, por edhe në emër të popullit shqiptar, tani iu mbush mendja se është personi më adapt, që mund të bëjë show edhe në emër të humanizmit!
Para se të merremi me “humanizmin” e tij, le të shohim sesa e pakuptimtë është që ai të flasë në emër të shqiptarëve, sikur të ishte president i Republikës! Ai kërkon, kështu, t’i japë reliev politikës së tij të re, e cila është, në të vërtetë, një politikë e përçartur. Sepse, duke dashur të tregojë se ai vetë ka qenë element bashkimi në partinë e tij dhe tani mëton të bëhet element bashkimi me përmasa kombëtare, është bërë bash si Tartarini i Taraskonit të Alfons Dodesë. Ai, pra, ka dalë nga përmasat e vetëshqyrtimit dhe tipari më i lehtë që mund t’i vishet për këtë arsye, është ai i një megalomani patologjik. Ai jo vetëm që s’është bashkues por, përkundrazi, është përçarës. LSI-në ai kujton se e ka në grushtin e tij autoritar. Ndërsa protagonistë të spikatur të partisë së tij, po i largohen për t’u bashkuar me partine e I. Metës! Këtë quan ai bashkim të së majtës?  
Pastaj, kur ai flet në emër të popullit, harron se kështu dënoheshin viktima të pafajshme nga gjyqet komuniste! “Në emër të popullit”, njerëz shumë të afërt të familjes së tij  në Presidiumin e Kuvendit Popullor kanë dënuar njerëz të pafajshëm! Cili nga anëtarët më të thjeshtë të PD-së, për shembull, i ka dhënë mandat këtij fluturaku, që të flasë në emër të një anëtari të partisë antagoniste!
E tani, le të mos na bëjë spektakle humanizmi! Në përgjithësi, a mund të flasë për ndjenja humanitare një person që e ka shpërfytyruar bashkëshorten e tij përmes keqtrajtimesh të gjithanshme, për shkak të karkaterit të mbrapshtë, të mungesës së mirësjelljes më elementare brenda mureve të familjes? Apo kërkon ta konkretizojmë shembullin?
A mund të quhet humanist një njeri që merr përsipër të glorifikojë në Pezë figurën e një keqbërësi të pashëmbullt ndaj njerëzve të pafajshëm? E. Hoxha, pasi u pikturua nga Edvini jo me bojëra vaji por me zift, para shkallëve të stadiumit “Q. Stafa”, në proceset e para demokratike, tani na bëhet njeriu organizues i ovacioneve me banderola e me portrete, me këngë e me sllogane, sikur të përtërihej sërish një atmosferë e padurueshme e kultit të individit! Kështu e interpreton E. Rama vendimin e AP-së së KE-së për dënimin e krimeve të komunizmit?
Ç’kusur kanë ata që u dënuan të pafajshëm, ata që humbën rininë e tyre burgjeve, si edhe familjet e të pushkatuarve, që t’u ngjallet prapë fantazma e një krimineli, si në tragjeditë e Shekspirit?
Feride Bako meriton mëshirë, por jo nga Edvini! - Feridja e shkretë u dënua me 5 vjet burgim. Por jo se ishte e pafajshme. Ligji nuk e pranon logjikën se ka edhe të tjerë më fajtorë se ajo, që s’janë dënuar ende! Por kushtet e veçanta të saj,  nipat e mitur që s’ka kush t’i rrisë, gjendja ekonomike e vështirë, meritojnë mirëkuptimin e shoqërisë. Tagrin për falje të tillë e ka predienti i Republikës. Dhe nuk kanë munguar raste të shumta të një amnistie të tillë të veçantë nga kreu i Shtetit. Me siguri që presidenti do të kishte parasysh edhe një rast të tillë. Puna është te gjuajtja e rastit nga një njeri johumanitar, për t’u paraqitur si humanitar. Fatkëqij ka edhe në Suedi. Edhe në vende të forta ekonomikisht, si SHBA. Edhe ata meritojnë zemërgjerësinë e organeve që e kanë të drejtën e faljes, pas dënimit.
Shtypi i majtë i gëzon të gjitha liritë dhe mundësitë financiare të fuqishme, që të bëjë një sensibilizim të tillë. Madje, jo për t’u ndjerë josolidarë me Feriden e gjorë, mund të themi për hir të së vërtetës se raste të tilla ka dhe do të ketë jo vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen. Këtë punë , - e thamë, - mund ta bëjnë fare mirë mediat. Por jo! Këtë duhet ta bëjë pikërisht ai: Edvini! Ai duhet të jetë, tashmë, edhe në “rol “ të humanitarit!
Ai mendon se të gjithë kanë perceptimet e këpëdarëve! Do të vijë koha kur ta kuptojë se e ka gabim!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›