Refleksione rreth korrigjimit të politikave ndaj ish-të përndjekurve politikë
Partia Demokratike dhe qeveritë e saj, që nga koha kur qeverisjet komuniste na lanë shëndenë, shtresën e ish-të përndjekurve politikë e kanë trajtuar me ligje të veçanta. Vlen për t’u përmendur se për një kohë relativisht të shkurtër janë aprovuar një gamë e gjerë ligjesh në dobi të sektorëve të ndryshëm si ekonomi, shëndetësi, arsim, qeverisje etj, por edhe të shtresës së ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist, nga të cilat mund të përmendim: U fitua barazia morale me shtresa të tjera të shoqërisë, gjë e cila kishte shkaktuar ndaj kësaj shtrese një diskriminim të theksuar. U barazua (dhe pati precedencë), shkollimi i fëmijëve të shtresës së përndjekur, deri edhe pa konkurse, gjë që në regjimin komunist ishte rreptësisht e ndaluar. Krahu i punës i lirë nga kjo shtresë, u punësua me përparsi në të gjitha vendet e lira të punës. U aprovua ligji për njohjen e statusit të ish-të përndjekurit politikë, çka dha mundësi reale për disiplinimin e evidencave të kësaj shtrese. Mbas një studimi të hollsishëm është aprovuar në Kuvend edhe një ligj për fillimin e dëmshpërblimit, i cili filloi të vihej në jetë menjëherë. Por më e madhja ndihmë për këtë shtresë ishte se nuk ishte kush më që të thërriste në mes të mbledhjes: “...është familje armike e popullit...” - apo - “...ata që janë pa triska fronti të ikin...” Ngjarjet e vitit 1997, të cilat janë quajtur nga ata që e kurdisën, “...revolucion demokratik i vonuar...” (në fakt ishte një grusht shteti i pastër, edhe sipas ekspertëve politiko-konstitucionalistë), e bllokuan rrjedhjen normale të krijimit e zbatimit të ligjeve demokratike. Kështu, për tetë vjet me radhë nuk u zbatuan ligje të shumta të aprovuara nga kuvendi (shumë prej tyre në dobi të shtresës së të përndjekurve politik), por as nuk u aprovuan ligje të reja në dobi të kësaj shtrese. Në vijim të zbatimit të atyre ligjeve që favorizonin shtresën e ish-të përndjekurve, janë bërë kërkesa të vazhdueshme nga përfaqësues të shoqatës, por kanë marrë përgjigjen standard: “...kërkojani Berishës...”
Gjatë viteve që vendin e drejtuan qeveritë e majta, u vendosën në poste të nëpunësve të rangjeve qendrore e lokale, persona që vinin nga nomenklatura komuniste, duke marrë në dorë vende të rëndësishme të administratës civile e ushtarake. Këto vende pune ruhen edhe mbrohen nga ligji “...për statusin e nëpunësit civil...”, duke bërë të mundur qëndrimin e tyre sa më gjatë. Shumë nga ish-të burgosurit politikë, në kërkim të dokumenteve të tyre për të marrë statusin e të përndjekurit politik, janë ndeshur me persekutorët, me hetuesit e tyre, me gjyqtarin apo administratorin e burgut, kampit të internimit e të tjerë të kësaj sëre, të cilët fillonin që nga detyra e sekserit dhe deri tek detyra e firmëtarit. Janë të shumta rastet që kjo kategori punonjësish gjenden në detyra të rëndësishmë (deri prokuror, gjyqtar a ligjvënës), ku janë bërë pengesë që të aprovohen ligje demokratike që mund të prishin sadopak qetësinë e tyre, apo të shtresës nga vijnë. Të gjithë e kemi vënë re se çfarë bëhet me ligjet që aprovohen rregullisht në Kuvendin e Shqipërisë, por që nuk kalohen dot ndër gjykatat që kanë kompetencën ligjore, vetëm për shkak se preken interesat e tyre apo të miqve të tyre. Një shembull i qartë është rrëzimi i ligjit për hapjen e dosjeve. Me këtë fenomen po ndeshemi shpesh, por që dëmton shumë demokracinë shqiptare sa arrin puna gjer aty sa, në krye të grupit të deputetëve të minorancës të jetë ish-ministri i punëve të brendshme të qeverisë komuniste, të asaj ministrie që ka ideuar e realizuar armën e fuqishme ndaj personave që mendonin ndryshe: “diktaturën e proletariatit..” I njëjti fenomen na del edhe me kryetarin e Partisë Socialiste në detyrë, i cili është bir i njërit nga drejtuesit e lartë të po asaj nomenklature, dhe që ka mundur të mbledhë rreth vetes e partisë që drejton, drejtues e pinjollë të regjimit të përmbysur, me të cilët po tenton të bëj ç’të dojë deri edhe shkelje të ligjeve kushtetuese.
Mbas humbjes që pësoi Partia Socialiste në votimet e 28 qërshorit 2009, u mblodhën kokë më kokë eksponentët e saj dhe, mbasi e shoshitën mirë-e-mirë, vendosën të shpallnin se zgjedhjet ishin të manipuluara, se ato i kishte fituar Partia Socialiste por Partia Demokratike u kishte “vjedhur” fitoren, dhe kërkuan me ngulm që të hapen kutitë e votimit për të bërë rinumërimin e tyre. Këtë ia kërkonin qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Kur kryeministri dha sqarime në lidhje me këtë çështje, që arkat e votimeve nuk mund të hapeshin, mbasi mbi to vepronin vendimet e gjykatave të formës së prerë, aty e më vonë Partia Socialiste me të zgjedhurit deputet të krahut të saj, filloi të përshkallëzoi kundërshtitë e veta deri edhe me bojkotimin e parlamentit. Gjithashtu kërkesa për hapjen e kutive të votimit vazhdonte të egërsohej deri edhe me protesta publike në Tiranë dhe në ndonjë qytet tjetër. Bojkoti i Kuvendit vazhdoi afër gjashtë muaj, sa organizma evropiane u angazhuan për të parë nga afër gjendjen. Mbas shumë hetimesh e studimesh e dhanë verdiktin e tyre: “...deputetët e opozitës të shkojnë në Kuvend..., çështja e votimeve të zgjidhet me komision hetimor parlamentar në mbështetje të ligjit dhe kushtetutës...”
Ndërkombëtarët, mbas analizave të hollsishme që bënë, sqaruan se kutitë e votimeve ishin nën juridiksionin e Drejtësisë dhe se kush dëshiron të hapi ato, duhet të drejtohet asaj. Por, “JO” , socialistët nuk e pranojnë një gjë të tillë, nuk i honepsin ligjet... Zaten që nga kohët e hershme të lëvizjeve komuniste e kanë treguar hapur se janë kundër çdo marrëveshje... Që nga koha e Mukjes e këndej, janë gjithato marrëveshje të prishura e ligje të shkelura;...janë gjithato vendime të marra në emër të popullit, e i ngrati popull që s’dinte se ç’bëhej në emër të tij, mbante mbi kurriz prapësitë e tyre, deri edhe shpronësim të plotë të pasurisë së tij, duke u justifikuar me “siglën” e diktaturës së proletariatit dhe “vullnetin e lirë të popullit”. Edhe sot mendoj se të këti mendimi qenkan ata ish-komunistë e sëra e tyre e transplantuar në socialistë... që e kërkojnë një gjë.., dhe po nuk ua dhè, “e marrin me forcë(!)”.. “Do të dalim në rrugë - thonë - do të ngrejmë në këmbë popullin socialist... do të rrëzojmë qeverinë “Berisha 2”. Mirëpo, harro mushkë Valarenë.. qe thënë njëherë e një kohë...
Mbas një bojkoti gjashtëmujor të deputetëve të PS, hyrja e tyre u trumbetua nga ata vetë si një akt madhor që po bëjnë në dobi të zgjidhjes së “një ngërçi politik”. Duke e lënë më një anë interesin ekonomik të tyre, mbasi me bërjen e betimit atyre iu fillon pagesa e rregullt, edhe pse për gjashtë muaj nuk janë paraqitur në Kuvend, (çudi!..., më duket se ligji thotë se paga merret sipas punës së bërë... nejse!...). Ata burra e gra, përfaqësues të popullit që i ka zgjedhur, deklaruan menjëherë se e kryen detyrën e tyre. ç’detyrë kryet? – detyra është që për katër vite radhazi të jeni në Kuvend dhe të jepni kontributin për të cilin jeni zgjedhur. Nëse nuk jeni dakord me një dekret a një ligjë, kundërshtojeni me argumente deri edhe me votën tuaj. Mund të ndiqni edhe rrugë gjyqësore për kundërshtimet tuaja. Këto, ligjvënësit i dinë shumë më mirë se ne të tjerët, po kur nuk zbatohen, detyrohemi t’i përmendim.
*Autori është i zgjedhur në organet drejtuese të Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë