E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha premton tjetër rritje pagash dhe pensionesh

Qeveria miraton vendimin për ngritjen e Komisionit të prokurimit Publik. Transparencë në sistemin e taksave dhe prokurimeve

“Sa herë kjo qeveri do të votohet nga shqiptarët aq më shumë do të rritet në mënyrë progresive pagat dhe pensionet. Qeveria do të përmbushë zotimin e saj për rritjen në vazhdimësi të tyre”.
Kështu u shpreh dje gjatë mbledhjes javore të Këshillit të Ministrave, kryeministri i vendit Sali Berisha.
Kreu i qeverisë tha se qeveria do t’i përmbahet zotimit të dhënë para qytetarëve shqiptare për rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve. “Ka dhe një vendim për pagat, për të cilat më duhet të theksoj se do të rriten. Gjithashtu edhe pensionet do të rriten. Qytetarët shqiptarë duhet ta kenë shumë të qartë zotimin para tyre. Sa të na votojnë do të kenë rritje rrogash dhe pensionesh. Kjo është një kontratë të cilës ne i qëndrojmë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha bëri të ditur gjithashtu në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ngritjen e një komisioni të prokurimit publik, i cili do të merret me shqyrtimin e ankesave të prokurimeve publike. Kryeministri u shpreh se ngritja e një komisioni të tillë, të shkëputur tërësisht nga agjencia e prokurimeve Publike finalizon procesin e reformës së prokurimeve. Kryeministri shpjegoi se tashmë Agjencia prokurimeve Publike nuk do të jetë më institucioni që vlerëson ankesat për prokurim, pasi normat dhe standardet evropiane kërkojnë që kjo agjenci të mos ketë më këtë fuqi. “Agjencia përgatit procesin dhe nuk mund të jetë ajo që të gjykojë ankesat e kompanive që marrin pjesë në tendera, pra ankesat ndaj autoriteteve kontraktore”.
Kryeministri theksoi se është e rëndësishme të përfitohet nga eksperienca e vendeve të tjera, në këtë drejtim në mënyrë që të rritet sa më shumë transparenca e këtij procesi. “Shqipëria në Evropë është i vetmi vend që ka prokurime publike 100 %. Kjo përbën një arritje të madhe, por kërkon konsolidim të mëtejshëm. Një vend tjetër, i cili ka 100 % prokurime , është Singapori. Praktika e tyre duhet të shqyrtohet nga autoritetet tona kontraktuese. Singapori është një vend me transparencë të lartë dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që të përdorim metodat sa më transparente”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›