E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu, Serbia pranon vulat e Kosovës

Në takimin e sotëm mes Kosovës dhe Serbisë që po vijojn në Bruksel, delegacioni serb ka pranuar vulat doganore të Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare të cilat citojnë burime në Bruksel.

Siç dihet, në vulat doganore të Kosovës shkruan vetëm "Dogana e Kosovës", ashtu siç i kanë edhe shumica e shteteve në botë.

Ndërkohë takimi është duke vazhduar dhe në tavolinë po diskutohen edhe tema të tjera.

Duke folur para nisjes së këtij raundi, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri ka thënë se qeveria e Kosovës është shumë e qartë për vizionin euroatlantik.

"Dhe jo vetëm kësaj radhe, por që nga fillimi i dialogut ne kemi dëshmuar se duam një qasje konstruktive për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit, sikur edhe në lëvizjen drejt Bashkimit Evropian për të dyja shtetet", ka thënë Tahiri.

Homologu i saj, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko Stefanoviç, ka folur haptazi për rezultatet që ai pret të arrihen.
"Shpresojmë se pas një dite të gjatë diskutimesh, do të kemi disa rezultate konkrete, posaçërisht lidhur me vulat doganore dhe kadastrat, dhe se do të mund të dalim publikisht me detajet e këtyre marrëveshjeve.

"Shpresoj se me marrëveshje do të lehtësojmë situatën, që ajo të jetë shumë më normale seç është sot, për të mundësuar lëvizjen e mallrave", ka thënë Stefanoviç, për të shtuar se kjo do të ndikonte edhe në uljen e tensioneve.

Zyrtarët e BE-së ndërkaq kanë thënë se është mirë për të dyja palët të arrihen "sa më shumë marrëveshje, në prag të raporteve të progresit të Komisionit Evropian", të cilat priten të dalin muajin e ardhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›