Dialogu i kulturave, në një forum
GJIROKASTER - Me iniciativë të "Helsinki Citizens Assembly", shoqatës franko-shqiptare ARGJIRO dhe "Courier des Balkans" dje u mbajt në Gjirokastër forumi ndërkombëtar për të rinjtë "Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore". Nga paneli i drejtimit të këtij forumi, presidentja e shoqatës kulurore "Argjiro" ftoi pjesëtarët e tjerë, figura të njohura shqiptare e ndërkombëtare të paraqesin opinionet e tyre rreth temës. Politologu dhe publicisti kosovar Veton Surroi tha se Gjirokastra është vendi ideal për të diskutuar rreth temës së dialogut kulturor pasi për shkak të shtresëzimit të kulturave dhe bashkëjetesës së komuniteteve dhe etnive të ndryshme këtu është vendi ku ky lloj dialogu merr kuptim më të plotë. Gjatë debatit në këtë forum u nënvizua domosdoshmëria e ruajtjes dhe mbartjes të trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore tek breznitë e reja dhe njohja e këtyre vlerave kulturore edhe nga popujt e tjerë brenda dhe përtej rajonit ballkanik. Arti dhe kultura mund të ndihmojmë në rrugën e integrimit, gjithmonë duke reaguar kundrejt si ndaj identiteteve ashtu edhe ndaj globalizimit. p.n