E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kripet” liqeni i Pogradecit, turistët kërkojnë Maqedoninë

 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Pogradeci është gati të presë turistë. Më 20 qershor ka festë, pasi bashkia organizon çeljen e sezonit. Pas kësaj date pritet që mijëra turistë të zgjedhin qytetin liqenor për të kaluar pushimet e tyre. Gjithçka është gati e për më tepër pas 20 vitesh, për herë të parë këtë verë nuk derdhen më në liqen ujërat e zeza. Por kthimi në identitet i kësaj perle të natyrës është cilësuar si luks për pronarët e lokaleve e të hoteleve. Për ta liqeni i pandotur do të thotë turistë më shumë e për pasojë: rritje e çmimeve. Këtë fakt e pohojnë mjaft qytetarë të Pogradecit, por edhe vizitorë. Këta të fundit ankohen se çmimet në Pogradec janë shumë të më kripura se në anën tjetër të liqenit.
“Sivjet përgatitjet për sezonin e verës janë kryer shumë herët, uji i liqenit sa vjen e bëhet më i pastër. Vënia në punë e qendrës së përpunimit të ujërave të zeza, të cilat deri vjet derdheshin direkt në liqen, ka bërë që uji të pastrohet. Çdo ditë ne heqim plehrat dhe leshterikët që nxjerr liqeni me dallgët e tij, ndërsa rërën kemi muaj që e kemi pastruar e dezinfektuar”, thotë drejtori i Drejtorisë së Turizmit pranë Bashkisë, Thoma Tasellari. Përgjatë bregut lulishtja është sistemuar e mbjellë me pemë dekorative. Banorët e këtij qyteti ankohen se prej vitesh zhvillimi i turizmit në Pogradec është harruar nga qeveria. Sipas tyre, këtë e vërteton fakti i mungesës së fondeve. Gjithçka është bërë në sajë të investimeve të siguruara nga marrëveshjet me Bankën Gjermane KFË, për të cilat qeveria ka qenë vetëm garantuese për shlyerjen e kredisë. Ata e shpjegojnë këtë “dukuri” si penalizim për votat e majta që dominojnë në këtë qytet. Mungesën e investimeve nga qeveria e konfirmon edhe drejtori Tasellari, i cili nënvizon edhe harresën e qeverisë për ta përfshirë këtë perlë të natyrës në fletëpalosjet e hartuara për turizmin në Shqipëri apo në spotet televizive të transmetuara në stacionet më prestigjioze të Evropës. Por sipas tij, bashkia ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i janë afruar. Përveç reklamave, brenda vendit ata kanë vendosur lidhje edhe me agjenci të huaja. Në Pogradec dominojnë çmimet e larta edhe për qytetarët e thjeshtë, kjo për shkak të produkteve që vijnë nga Maqedonia. Kjo më pas është reflektuar edhe te pronarët e restoranteve dhe hoteleve, të cilët publikojnë çmime mjaft të kripura në menutë e tyre. Ledina B., një nga punonjëset e njërës prej agjencive turistike që veprojnë në qytet, tregon se kërkesat për të kaluar pushimet në Pogradec janë shumë më të pakta se për në Ohër dhe Strugë, dy qytete që ndodhen në anën tjetër të liqenit. Arsyen ajo e shpjegon me kushtet jo në standardin e kërkuar prej turistëve, por veçanërisht me çmimet. “Të kalosh pushimet në Maqedoni do të thotë që të kursesh rreth 25 - 30 për qind të shpenzimeve, por të kesh edhe kushte shumë më të mira në komoditet, cilësi më të mirë të ushqimit, pastërti e qetësi më të mirë”, shprehet ajo. Në statistikat që mban bashkia, Pogradeci ka 15 mijë shtretër në dispozicion të turizmit vendas dhe të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›