E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu me Beogradin Tahiri Bisedimet teknike jo politike

Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje nuk do të jenë pjesë e bisedimeve që vazhdojnë mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka bërë të ditur kryesuesja e delegacionit kosovar,  Edita Tahiri, gjatë një debati që ka zhvilluar me studentët e Universitetit Amerikan të Kosovës. Tahiri ka përjashtuar çdo mundësi që gjatë këtyre bisedimeve të diskutohet për statusin e veriut të Kosovës dhe për çështjet e brendshme të vendit të rregulluara me Kushtetutë.

 “Këto janë bisedime për çështje teknike dhe synimi ynë është që duke zgjidhur problemet teknike të përmirësojmë jetën e qytetarëve, veçmas në pjesën veriore. Këto nuk janë bisedime politike për të shtruar çështjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë, qoftë në Kosovë, qoftë të drejtave të shqiptarëve në Serbi” tha Tahiri.

Tahiri nuk është pajtuar me qëndrimin e shprehur nga EULEX-i që Kosova të diskutojë me Serbinë hapjen e gjykatave në veri të Kosovës, të mbyllura pas trazirave tri vjet më parë nga serbët e revoltuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Çështjet e drejtësisë, përfshirë edhe gjykatat janë çështje të sovranitetit dhe qëndrimi ynë është se këto çështje zgjidhen përmes bashkëpunimi midis institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it dhe këto nuk do të jenë pjesë e bisedimeve” tha Tahiri.

Tahiri ka bërë përgjegjës Beogradin zyrtar për gjendjen në veri të vendit, ku veprojnë strukturat paralele serbe dhe ku qeveria e Kosovës nuk ka arritur asnjëherë të ketë kontroll në atë pjesë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›