E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dialogu nuk mund të imponohet nga kërkesat antikushtetuese të Edi Ramës”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta shigjeton opozitën si të paaftë për mbështetjen e një dialogu parlamentar       “Dialogu nuk mund të imponohet mbi kërkesat antikushtetuese të kryesocialistit Edi Rama, porsa kohë vendimet politike nuk mund të dalin mbi ato të gjykatave”. Kështu u shpreh dje Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp, pas kthimit nga Londra ku mori pjesë në konferencën për Afganistanin, iniciativë kjo e Britanisë së Madhe. Duke iu referuar situatës politike në vend, Meta theksoi nevojën e dialogut të palëve politike, për kapërcimin e ngërçit, por njëherazi i bën thirrje opozitës që të lexojë drejt, rekomandimet e rezolutës së KiE. Ai tha se mazhoranca është e gatshme të ulet në tryezën e dialogut, por është opozita dhe lidershipi i saj që nuk kanë vullnet, ndërsa shtoi se krizën brenda PS-së Edi Rama, po përpiqet ta injektojë padrejtësisht tek institucionet shtetërore. “Strasburgu tregoi edhe njëherë dështimin e Partisë Socialiste në politikën e saj destruktive. Me miratimin e rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dështoi edhe politika e PS-së siç dështoi edhe përpjekja e saj për të ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar. Dialogu mes palëve politike për zgjidhjen e krizës, do të bëhet në bazë të Kushtetutës. Nuk do të ketë asnjë dialog politik që bie në kundërshtim me kushtetutën”, u shpreh Meta. Zëvendëskryeministri akuzoi Ramën se po injoron rregullat e nënshkruara nga vetë ai, dhe se po synon të fusë vendin në krizë. “Mendoj se qëndrimi i kryeministrit ka qenë tepër korrekt, dhe tepër parimor, i cili ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo inicion një dialog por pa dyshim është shumë e rëndësishme që dialogu të ketë në bazë të tij respektimin e Kushtetutës së vendit. Kuptohet në kushtet kur zoti Rama me kokëfortësi kërkon të vendosë një kërkesë antikushtuese kuptohet që ky lloj dialogu as nuk mund të funksionojë dhe as mund të ketë rezultat. Këtu nuk paragjykim për institucionin e presidentit por mosbesim për seriozitet e zotit Rama në përpjekje për të zgjidhur këtë krizë e cila është kryesisht krizë e opozitës, e cila i ka injoruar rregullat që ka nënshkruar vetë. Në këtë krizë zoti Rama synon të tërheqë institucionet e vendit. Ai duhet të përcaktojë saktë pozicionin e tij”, u shpreh Meta. Duke iu referuar rezolutës së miratuar në KiE, Meta vuri në dukje se mazhoranca e ka mbështetur plotësisht atë, ndërsa është opozita ajo dhe lidershipi i saj Edi Rama që duhet ta lexojë drejt. “Ne e kemi përshëndetur rezolutën pasi projekti i ka ofruar opozitës atë që qeveria i ka ofruar me kohë, madje duke u treguar të hapur duke i dhënë shumicën në komisionin parlamentar”, theksoi Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, duke shtuar se opozita nuk ka vullnet për dialog që respekton Kushtetutën e vendit, por vendos kushte për dialogun.Ndërkohë në lidhje me rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të paktit detar me Greqinë Meta theksoi se qeveria shqiptare do të respektojë këtë gjykatë duke shtuar se vendimi nuk do të cenojë marrëdhëniet me shtetin fqinj, por gjithsesi tha ai, do të shqyrtohet gjerësisht edhe mendimi i ekspertëve. Ai u shpreh se si ministër i Jashtëm nuk do të heshtë përballë tentativave dashakeqe për të helmosur marrëdhëniet Shqipëri – Greqi. Partia Socialiste pretendon se Rezoluta e Këshillit të Evropës ishte sukses i saj duke pretenduar kërkesën për ngritjen e Komisionit hetimor parlamentar. Ndërkohë, si do të procedohet më tej, a do të merret në konsideratë mbledhja e një tryeze nga ana e Presidentit?është për të ardhur keq me qëndrimin jo të sinqertë të Partisë Socialiste. Së pari Strasburgu ishte një dështim i madh për ta dhe evidentoi edhe politikën e tyre destruktive në dëm të vendit, sikurse ishte kërkesa e tyre për heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila nuk u mor nën konsideratë për arsye se në rast se Shqipëria ka një problem, i cili është mosfunksionimi parlamentar i opozitës, ky është një problem i shkaktuar nga vetë lidershipi i saj. Së dyti, ne e kemi përshëndetur dhe e përshëndesim rezolutën, madje edhe kur ajo ka qenë një projekt-rezolutë, sepse në fund të fundit i gjithë thelbi i kësaj rezolute ka të bëjë me atë që mazhoranca i ka ofruar me kohë opozitës. Komisionin hetimor parlamentar ne e kemi ofruar me kohë, madje edhe duke u treguar të hapur dhe zemërgjerë do të thosha, duke u ofruar edhe shumicën, pasi kjo është brenda legjislacionit të funksionimit të Parlamentit tonë. Ndërkohë ju e shihni qartë që ata vetëm i lexojnë mbrapsht rezolutat, duke mos patur asnjë vullnet për dialog duke qene se nuk pranojnë një dialog që respekton Kushtetutën e vendit, çka është esenciale dhe e panegociueshme, por njëkohësisht vendosin kushte të cilat e zhvleftësojnë dialogun ende pa filluar. është me të vërtetë për të ardhur keq. Në lidhje me këtë pikë, a keni pasur ndonjë konsultë me kryetarin e koalicionit qeverisës, Berisha, lidhur me një takim me Presidentin e Republikës? Ju si parti politike jeni treguar shumë të hapur për këtë tryezë, ndërkohë që Kryeministri nuk është treguar shumë entuziast për një zgjidhje nga Presidenti për sa kohë që Partia Socialiste nuk pranon hetimin pa hapjen e kutive?Besoj se qëndrimi i Kryeministrit ka qenë tepër korrekt dhe parimor, i cili ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo që inicion një dialog, por padyshim që është shumë e rëndësishme që dialogu duhet të ndodhë mbi bazën e respektimit të Kushtetutës së vendit dhe kuptohet se në kushte ku Edi Rama kërkon të vendosë një kërkesë anti-kushtetuese, ky lloj dialogu nuk mund të funksionojë dhe as nuk mund të ketë ndonjë rezultat. Pra, ai nuk ka asnjë paragjykim për institucionin e Presidentit, por ka një mosbesim në lidhje me seriozitetin e z. Rama në përpjekjen për të zgjidhur këtë krizë e cila është kryesisht krizë e opozitës. Opozita i ka injoruar rregullat e lojës, të cilat i ka firmosur vetë, dhe natyrisht që z. Rama synon që në këtë krizë të tij, të tërheqë edhe institucionet e tjera të vendit. Ai duhet të bëjë të qartë pozicionin e tij. Hapja e kutive të votimit sipas jush është antikushtetuese, ndërkohë që ju vetë keni rezerva mbi zgjedhjet e 28 Qershorit, të paktën sipas deklaratave tuaja të para.Absolutisht që po! Por për të gjitha pretendimet, është konsumuar kodi zgjedhor, i cili u bë jashtë vullnetit tonë, me konsensusin e z. Rama dhe z. Berisha si kryetarë të dy partive kryesore, dhe për çdo pretendim janë marrë vendimet e gjykatave. Mua mund të mos më pëlqejnë vendimet e gjykatave, dhe mund të kem edhe të drejtë, por vendimet e gjykatave janë për t’u pranuar e për t’u respektuar. Ju e dini që të njëjtën gjë kemi kërkuar edhe ne në vitin 2005, madje u formua edhe një Komision hetimor parlamentar me kërkesën tonë, dhe kemi patur edhe fakte e prova për mospërputhje të rezultateve sipas zonave zgjedhore. Dhe PD e PS pikërisht në bazë të këtij arsyetimi, nuk pranuan që të hapej qoftë edhe një kuti, sepse do të sfidohej vendimi i gjykatave.Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar para disa ditësh marrëveshjen e detit me Greqinë, dhe besoj se ka qenë edhe pjesë e takimeve tuaja me Ministrin grek Droucas. Në kohën kur ajo u kundërshtua nga disa media dhe opozita, ju deklaruat se grupe ekstremiste po dilnin kundër kësaj marrëveshjeje. çfarë ndodhi z. Meta? Këto grupe ekstremiste patën ndikimin e tyre edhe në Gjykatën Kushtetuese, apo vërtet jeni të bindur se ka patur probleme kjo marrëveshje?Duhet të ndajmë dy elementë. Duhet të ndajmë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka autoritet dhe sovranitet të plotë për të marrë vendime për çdo çështje, përfshirë edhe këtë çështje. Dhe ju e keni parë që ne që nga fillimi i shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, kemi ndërprerë çdo lloj sqarimi, qoftë edhe publik, duke e përqendruar vëmendjen në Gjykatën Kushtetuese. Dhe Gjykata ka të drejtë ta marrë vendimin ashtu si ajo ta shohë të arsyeshme. Dhe ne absolutisht që jemi të detyruar ta respektojmë, dhe do ta respektojmë vendimin e kësaj Gjykate. Ende nuk e dimë cilat kanë qenë arsyet dhe shkaqet, pasi ky vendim ende nuk është bërë publik, ende nuk është zbardhur. Informacionin e kemi marrë nga mediat. E theksoj edhe një herë, që ne do e respektojmë vendimin, cilido qoftë ai, dhe në momentin që ky vendim bëhet publik, padyshim që ne do të bëjmë sqarimet në emër të grupit negociator për të gjitha argumentet ku do të jetë mbështetur Gjykata në dhënien e vendimit, për transparencë ndaj opinionit publik. Pra, vendimi nuk diskutohet. Por, unë si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk mund të mbyll sytë dhe nuk mund të hesht kur elementë ekstremistë, e theksoj, në politikën shqiptare, që për fat të mirë janë në pakicë e të izoluar nga shoqëria jonë, përpiqen të helmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe midis dy popujve vazhdimisht, me qëndrime të ndryshme të cilat nuk i shërbejnë askujt, përveç atyre grupeve që kërkojnë t’i kthejnë marrëdhëniet prapa në të kaluarën. Ndërkohë që angazhimi kryesor i Shqipërisë është anëtarësimi e saj në Bashkimin Evropian. Greqia është një nga mbështetësit kryesore të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE dhe për liberalizimin e vizave me zonën “Schengen”. Unë në këtë drejtim nuk mundem dot të hesht. Por vendimi i Gjykatës, siç e kemi thënë që në fillim, është tjetër çështje dhe ne do t’i respektojmë gjithnjë vendimet e gjykatave, edhe atëherë kur na pëlqen, por edhe atëherë kur mund të mos na pëlqejë. Ky është dallimi me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. A do të kemi një marrëveshje të re?Përcaktimi i kufijve detarë, si me Greqinë, ashtu edhe me Malin e Zi, është një prioritet, për Qeverinë tonë, pasi së pari është një hap përpara në drejtim të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke qenë se hyn tek çështjet ende të pazgjidhura me vendet fqinje, por edhe sepse i jep mundësi vendit që të shfrytëzojë hapësirat ujore dhe nënujore. Ka pasur ide që në momentin e rinegociimit, ai të bëhet edhe me prezencën e NATO-s, meqë të dy vendet janë anëtarë të saj, dhe për të krijuar besueshmëri më të madhe tek njerëzit...Nuk mendoj se është koha për të hyrë në nivel teknik, dhe siç e kam thënë edhe më parë, ne do të presim vendimin e Gjykatës, do të lexojmë me vëmendje argumentet e saj, dhe mbi bazën e tyre do të japim sqarimet dhe pa asnjë diskutim që do të shikojmë të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për të ecur përpara. çështja e kufirit detar me Italinë është e mbyllur, dhe për ne është një prioritet të mbyllim çështjen edhe me Greqinë, edhe me Malin e Zi. Këto janë prioritete të cilat do t’i çojmë përpara me transparencë të plotë. Kur flisni për grupe ekstremiste, i referoheni grupeve politike apo individëve jashtë politikës?Më duket se jam shumë i qartë. Shikoni ata që tërë ditën rrinë e merren me krijimin e mosbesimit dhe të urrejtjes midis dy popujve, kur ne në Greqi kemi gati 1 milion shqiptarë dhe kur dihet që Greqia është një nga mbështetëset kryesore të integrimit evropian të Shqipërisë, të liberalizimit të vizave për të gjithë shqiptarët ashtu sikurse edhe Greqia ka qenë një mbështetëse shumë e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Nuk e di se kujt i shërbejnë qëndrime dhe politika të tilla? Në rast se ka një problem me Qeverinë e Shqipërisë, kjo është çështje tjetër, dhe secili ka mënyra të ndryshme dhe rrugën për të ngritur një çështje që nuk shkon me mënyrën se si vepron Qeveria shqiptare. Por askush nuk ka të drejtë të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve se nuk janë marrëdhënie ndërmjet dy qeverive. A ka shprehur Greqia ndonjë rezervë në lidhje me këtë vendim të Gjykatës?Qëndrimi i Greqisë ka qenë tepër korrekt. Ata respektojnë institucionet shqiptare, gjë që është konfirmuar edhe nga Ministri i Jashtëm Plotësues grek Droucas këtu në Tiranë kur u është përgjigjur pyetjeve tuaja.  Marsi po afron dhe nëse deputetët socialistë do të mbeten pa mandate, cili është mendimi juaj, çfarë ndodh?Për sa i takon çështjes së mandateve, absolutisht që do zbatohet Kushtetuta. Shqipëria do të ecë në rrugën e stabilitetit, të ndërtimit të shtetit ligjor, duke pasur si princip bazë respektimin e Kushtetutës nga të gjithë dhe për të gjithë. Brenda kësaj hapësire, çdo lloj dialogu, çdo lloj zgjidhje politike që rrit mirëbesimin midis palëve, është tepër pozitive. Por Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke shkelur Kushtetutën. Pjesë e dialogut është edhe sistemi zgjedhor, ku Kryeministri Berisha i dha përsëri hapësirë të plotë Edi Ramës për përcaktimin e një sistemi. Ju a jeni për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe a do të pranoni atë që do zgjedhë Edi Rama?Po është e vërtetë që Z. Berisha përsëri ka ftuar opozitën të marrë rolin kryesor për të adresuar, në kuadrin e një reforme zgjedhore të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet, ashtu sikurse e ka bërë të qartë që këto propozime nga opozita duhet të jenë të standardeve ndërkombëtare. Ne nuk është se jemi të përqendruar dhe nuk kemi qenë asnjëherë me ndonjë ide fikse, qoftë ky një sistem që favorizon apo ndihmon LSI-në ose jo. Ne jemi të hapur për çdo sistem të ndershëm dhe brenda standardeve të OSBE-ODHIR-it....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›