Dialogu politik, Stefan Fule mbërrin nesër në Shqipëri

Prezantohet në Tiranë misioni i OSBE/ODIHR i cili do të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 8 majit
UDPATE- Komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fyle, do të vizitojë ditën e nesërme Tiranën. Fyle do të marrë pjesë në tryezën e e diskutimeve Shqipëri-BE për integrimin, por më së shumti, mendohet që vizita e tij ka lidhje me krizën politike dhe zgjedhjet vendore me të cilat do të përballet Shqipëria. Lajmi konfirmohet nga zyra e BE-së në Tiranë e cila thekson se eurokomisioneri Fule do të marrë pjesë në tryezën e integrimit dhe më pas do të mbajë edhe një konferencë për shtyp. Zyrtari i lartë evropian do të marrë pjesë në tryezën për të diskutuar me partitë politike në vend mbi përmbushjen e 12 kushteve që Bashkimi Europian kërkon të plotësohen nga Shqipëria.
Prezantohet misioni i OSBE/ODIHR i cili do të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 8 majit
Është prezantuar sot përpara mediave misioni i OSBE/ODIHR-it i cili do të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 8 majit. Këshilltari i lartë zgjedhor pranë zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Varshavë dhe njëkohësisht edhe kreu i vëzhguesve Jonathan Stonestreet theksoi se 4 nëntor OSBE/ODIHR-i ka marrë një ftesë nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet vendore, ftesë e cila u pranua dhe në këtë kuadër u vendos që të vinte një mision i plotë dhe afatgjatë në Shqipëri. Sipas tij vëzhguesit do të jenë analistë të fushave të ndryshme ndërsa theksoi se gjatë javës pritet që të mbërrijnë edhe 24 vëzhgues afatgjatë nga 400 gjithsej që do të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve. Ai gjithashtu theksoi se misioni i vëzhguesve nuk do të monitorojë vetëm procesin zgjedhor por edhe median dhe sidomos transmetuesin publik. Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it gjithashtu theksoi se do të zhvillohen edhe takime me aktorët kryesorë të politikës në vend.
“Situata politike ka ndikim në zgjedhjet vendore dhe do të shohim si do të jetë ky refkektim dhe do t’i pasqyrojmë ato në raportet tona”- theksoi Stonestreet.